Ndërlidhjet

Në shoqërinë patriarkale të Afganistanit, gratë shpesh identifikohen publikisht me emrat e të afërmve të tyre meshkuj.

Identiteti i tyre rrjedh nga marrëdhënia me burrat, të cilët shihen si pronarë të tyre.

Gratë afgane e jetojnë jetën si vajza e dikujt, motra, apo bashkëshortja dhe shpesh nuk kanë identitetin e tyre.

Kur lindin vajza në Afganistan, disave u duhen javë të tëra për t’iu dhënë emrin, ndërsa kur vdes një grua, njoftimi për vdekjen dhe guri i varrit do të mbajnë shpesh emrin e burrit të saj.

Për burrat afganë, nxjerrja në publik e emrave të grave është e turpshme dhe e pandershme.

Por, një grup i grave të reja po përpiqet ta zhdukë këtë dukuri dhe t’i ndihmojë gratë të rimarrin identitetin e tyre.

Ato kanë nisur një fushatë në internet, të quajtur “Ku është emri im”, për të nxjerrë në pah çështjen dhe për t’i nxitur burrat, madje edhe gratë, t’iu adresohen grave me emrat e tyre.

Në radhë të parë, ato thonë se gratë duhet të identifikohen nga emrat e dhënë dhe jo ata të baballarëve apo burrave të tyre.

Laleh Osmany, 25 vjeçe, e cila ka nisur fushatën nga qyteti Herat i Afganistanit, thotë për Radion Evropa e Lirë se do që t’i ndihmojë gratë të kenë “të drejtën më themelore” të tyre.

Laleh Osmany
Laleh Osmany

“Po luftojmë për emrat dhe identitetin tonë. Duam që gratë të njihen si qenie të pavarura njerëzore”, thotë Osmany.

“Kur një grua vdes, emri i saj nuk paraqitet në njoftimin për vdekje. Kur një grua martohet, emri i saj nuk nxirret në njoftimin për dasëm. Emrat e grave nuk përmenden as në recetat e mjekut”, thotë Osmany.

Tahmineh Rashiq, një tjetër pjesëtare e fushatës, thotë për Radion Afganistani i Lirë se burrat duhet të thërrasin emrin e nënës, motrës dhe gruas në publik pa u ndjerë të turpëruar.

“Nuk duhet të jetë turp. Jam lodhur duke u thirrur vajza ose nëna e dikujt”, thotë ajo.

Fushata “Ku është emri im” në mediat sociale
Fushata “Ku është emri im” në mediat sociale

Fushata “Ku është emri im” është duke fituar mbështetje në mesin e grave, por edhe të burrave, të cilët, në mediat sociale, kanë ndryshuar fotografitë e profilit me logon e fushatës.

“I jam bashkuar kësaj fushate dhe me krenari e kam postuar emrin e nënës sime dhe gruas sime në Facebook”, thotë Saada Musavi, mbështetës i fushatës.

Osmany thotë se fushata ka nisur të nxisë debat në Afganistan.

“E kemi nisur fushatën në internet, por çështja tani debatohet edhe në botën reale. Njerëzit dhe mediat flasin për të”, thotë ajo.

Shumë e kanë vlerësuar fushatën për nxjerrjen në pah të diskriminimit kundër grave dhe për rritje të vetëdijes. Por, ka pasur edhe kritika.

“A është vërtet ky shqetësimi kryesor i grave afgane? Nëse thirren me emra, a do të zgjidhen problemet e tyre?”, ka shkruar një komentues në Facebook.

Por, organizatoret e fushatës thonë se pa pasur identitetin e tyre, gratë do të mbeten të padukshme dhe të pafuqishme në shoqëri.

Që nga rënia e regjimit taliban në vitin 2001, gratë afgane, mes tjerash, kanë rikthyer të drejtën e shkollimit, votës dhe punës. Por, shumë prej tyre vazhdojnë të përballen me dhunë nga të afërmit meshkuj, e cila shpesh kalon pa u ndëshkuar.

Përgatit: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG