Ndërlidhjet

Erdogan paralajmëron acarim të raporteve me SHBA-në


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 23 shtator se raportet e vendit të tij me SHBA-në nuk po shkojnë në drejtim të duhur.

Sipas tij, raportet me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, nuk kishin “nisur mirë”.

Erdogan u dërgoi mesazh aleatëve të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara se, nëse ato nuk e ndihmojnë Turqinë në aspektin e mbrojtjes, atëherë vendi i tij do të kthehet në drejtim tjetër.

Gazeta turke Haberturk citoi Erdoganin të ketë thënë se problemet e kanë bazën te zemërimi i SHBA-së pasi Turqia bleu sistemet e avancuara raketore S-400 nga Rusia.

"Sa i takon raporteve turko-amerikane nuk mund të them se po zhvillohet një proces i shëndetshëm", u tha presidenti turk gazetarëve kur doli nga debati i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pati vendosur sanksione ndaj industrisë së mbrojtjes turke për shkak të blerjes së sistemit rus.

Disa ekspertë vlerësojnë se sistemi S-400 përbën rrezik për avionët F-35 të NATO-s dhe SHBA-së.

Turqia ka qenë partnere në prodhimin e tyre si dhe kishte blerë disa prej tyre.

"Kemi blerë F-35, kemi paguar 1.4 miliardë dollarë dhe ato nuk na janë dhënë", tha Erdogan, duke shtuar se kjo është çështja e parë që duhet të zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në anën tjetër e ka hidhëruar Erdoganin pasi e ka njohur si gjenocid vrasjen e armenëve më 1915 nga ana e Perandorisë Osmane si dhe ka kritikuar Turqinë për mosrespektim të të drejtave të njeriut.

Kritikat amerikane janë shtuar pasi Turqia u largua nga Konventa e Stambollit, që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG