Ndërlidhjet

Erdogan i jep fund dialogut me Greqinë


Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan gjatë adresimit të tij në parlament. Foto nga arkivi.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan gjatë adresimit të tij në parlament. Foto nga arkivi.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi të mërkurën se Turqia do t’i ndalë bisedimet me Greqinë, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin grek dhe atë që Ankaraja e quan shkelje të hapësirës ajrore, duke shënuar kështu përkeqësimin më të fundit në marrëdhëniet e sprovuara të dy shteteve fqinje.

“Ne nuk do të mbajmë më takime bilaterale me ta,” tha presidenti në një fjalim për grupin e tij parlamentar në Ankara.

“Ne kishim një marrëveshje të këshillit të lartë strategjik me Greqinë, por njoftova dje ministrin e jashtëm se nuk i qëndrojmë më kësaj marrëveshjeje”, shtoi Erdogan.

Vitin e kaluar, pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, dy anëtarët e NATO-s rifilluan bisedimet për të adresuar mosmarrëveshjet e tyre në Detin Mesdhe dhe çështje të tjera dypalëshe. Bisedimet kanë bërë pak përparim dhe vendet kanë shkëmbyer shpesh herë akuza ndaj njëri tjetrit.

Vendet kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje për një sërë çështjesh si kufijtë detarë, pretendimet kufijtë detarë, hapësirën ajrore, refugjatët dhe Qipron.

Tensionet u rritën përsëri javën e kaluar kur Erdogan tha se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis "nuk ekziston më" për të, duke e akuzuar se po bënte përpjekje për të bllokuar shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-16 gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.

Sot duke iu referuar kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis, por pa i përmendur emrin, Erdogan tha: “Ai shkon në SHBA dhe bën komente kundër nesh para Kongresit. Kjo mbaron këtu”.

Të martën, Mitsotakis u tha gazetarëve pas një samiti të Bashkimit Evropian se ai kishte informuar homologët e tij të BE-së për "agresivitetin" dhe "provokimet" e Turqisë që nuk mund të tolerohen nga Greqia apo nga Bashkimi Europian.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të martën se Greqia po shkel marrëveshjet ndërkombëtare që përcaktojnë statusin e çmilitarizuar të ishujve në Egje, duke paralajmëruar se nëse Athina nuk ndryshon kursin e veprimit, Ankaraja do të sfidojë sovranitetin e ishujve.

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë tha se komentet e Çavusoglu tregonin se Turqia po kërcënonte Athinën.

XS
SM
MD
LG