Autoritetet në Estoni kanë zhvendosur memorialet e kohës sovjetike të Luftës së Dytë Botërore në qytetin kufitar të Narva-s, një vendim që më parë shkaktoi paralajmërime dhe protesta nga Moska.
Inxhinierët filluan të heqin një tank në një memorial në Narva në orët e para të 16 gushtit, me një kontigjent të konsiderueshëm policie dhe forcash të sigurisë që qëndronin roje, sipas medias shtetërore “ERR”.
“Vendimi i sotëm ndihmon për të mbajtur fokusin tonë në detyrat tona më të rëndësishme: përforcimin e sigurisë së Estonisë dhe ndihmën e të gjithë njerëzve të Estonisë për të përballuar krizat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë”, citohet të ketë thënë kryeministrja e vendit Kaja Kallas.
Tanku sovjetik do të zhvendoset në një muze lufte në veri të kryeqytetit, Talin.
Narva është një qytet kryesisht rusisht-folës në kufirin me Rusinë dhe njoftimi i qeverisë se planifikonte të lëvizte tankun kishte ngjallur një protestë nga zyrtarët rusë. Nuk është hera e parë që Estonia nxit zemërimin e Rusisë mbi zhvendosjen e memorialeve të luftës.
Në vitin 2007, qeveria estoneze njoftoi se do të zhvendoste një monument të quajtur Ushtari i Bronzit nga qendra e Talinit në një varrezë ushtarake në periferi të qytetit.
Monumenti u ngrit nga zyrtarët sovjetikë për të përkujtuar forcat sovjetike që dëbuan ushtrinë naziste nga Estonia; shumë estonezë e konsideruan monumentin si fyes për shkak të pushtimit për dekada të vendit nga Bashkimi Sovjetik.
Vendimi shkaktoi zemërim në mediat në gjuhën ruse dhe shkaktoi trazira dyditore në Talin ku u plagosën 156 persona dhe rezultuan në arrestimin e 1000 të tjerëve. Vendi u godit më vonë nga sulme masive kibernetike për të cilat u fajësua kryesisht Rusia.
Ky veprim i fundit vjen pasi Estonia dhe dy vendet e tjera baltike kanë marrë pozicione gjithnjë e më të ashpra ndaj Moskës në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt të këtij viti.
Autoritetet estoneze kanë bërë thirrje për bllokimin e vizave Shengen për qytetarët rusë, viza të cilat lejojnë qasje të gjerë në shumë vende të Bashkimit Evropian.