Ndërlidhjet

Çfarë ndodhi me fabrikën e qumështit në Istog?

Produkte të "Vita", por edhe prodhuesve të tjerë të qumështit të ekspozuara në raftin e një dyqani ushqimor në Kosovë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Produkte të "Vita", por edhe prodhuesve të tjerë të qumështit të ekspozuara në raftin e një dyqani ushqimor në Kosovë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Fabrika e qumështores “Vita” në Istog është mbyllur përkohësisht nga vetë kompania, pasi inspektorë të Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kryen kontrolle gjatë 2 korrikut.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha pas inspektimeve në fabrikën e qumështit në Istog se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e fabrikës.

“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha AUV.

Kjo agjenci tha se inspektimi u krye për të verifikuar përputhshmërinë e aktivitetit të kompanisë me standardet e sigurisë ushqimore. Ajo tha se ka marrë mostra të qumështit që ka afat të gjatë përdorimi, të qumështit pluhur dhe të vajit të palmës, që janë dërguar për analiza laboratorike.

Agjencia e Ushqimit tha se gjatë kontrollit fizik të objektit gjeti mospërputhje me ligjet në fuqi.

“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”, u tha në njoftim.

Gjithashtu, agjencia tha se fabrika nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi “për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente”.

Përplasjet mes kompanisë dhe ekzekutivit

Inspektimet çuan në përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.

Drejtori i përgjithshëm i fabrikës “Vita”, Artan Spahia, tha para mediave se inspektimet u kryen nga inspektorët e AUV-së me vendim të vetë ministrit Muja. Ai tha se vendimi që i është dhënë nga një këshilltareje të Mujës – që sipas tij as nuk u prezantua – është marrë vetëm për kompaninë e tij dhe vendimi është nënshkruar sot.

Ai e akuzoi ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.

Muja u kundërpërgjigj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit. Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se çfarë ushqimi konsumojnë.

“Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’”, tha Muja, sipas të cilit, qëllimi i vetëm i kontrolleve është mbrojtja e interesit publik.

Po në këtë postim, Qumështorja “Vita” iu kundërpërgjigj Mujës, duke thënë se kompania nuk është kundër kontrolleve dhe duke pretenduar se ajo ka investuar miliona euro për standarde të sigurisë ushqimore, teknologji moderne dhe bënë kontroll të vazhdueshëm të cilësisë.

“Inspektimi i sotëm që e patëm nga AUV dhe IQT [Inspektorati Qendror i Tregut], së bashku me ‘Grupin Punues’, është iniciuar direkt nga ana juaj, personalisht, me vendim të nënshkruar nga ju. Ky vendim është tërësisht i paligjshëm”, shkroi “Vita” në pjesën e komenteve të postimit të Mujës.

Drejtuesit e kompanisë thanë se punësojnë rreth 500 punëtorë dhe bashkëpunojnë me mbi 1 mijë fermerë nga të cilët e marrin qumështin.

Qumështorja “Vita” është pjesë e korporatës “Devolli Group”.

Inspektimet në “Vita” nxitën reagime edhe nga figura politike opozitare, por edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës, që e cilësoi si goditje “direkte ndaj ekonomisë së Kosovës”.

“Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk është vetëm çështje e një kompanie – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj qindra vendeve të punës, qindra fermerëve vendorë, zinxhirit të furnizimit dhe stabilitetit të tregut në Kosovë. Kjo është një goditje e rëndë ndaj prodhimit vendor dhe një sinjal jashtëzakonisht negativ për investitorët – si vendorë ashtu edhe të huaj”, u tha në reagimin e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.

Në fund të prillit, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, kishte njoftuar për disa masa të ndërmarra sa i përket produkteve të qumështit.

Ai kishte thënë se produktet e qumështit duhet të etiketohen dhe të kategorizohen qartë.

“Nuk do të lejohet përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme”, kishte deklaruar ai gjatë një konference për media më 28 prill.

Po ashtu, ekzekutivi i vendosi edhe akcizë qumështit pluhur. Muja njoftoi se masat do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi, në varësi të zhvillimeve në treg.

Muja deklaroi se këto masa u ndërmorrën pasi prodhimi vendor i qumështit të freskët po përballet me ndikim të drejtpërdrejtë nga rritja e importeve, veçanërisht e qumështit pluhur, si dhe nga produktet që përmbajnë vaj palme

XS
SM
MD
LG