Ndërlidhjet

SHBA thotë se ka shkatërruar rrjetin famëkeq të hakerëve ‘Qakbot’


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Autoritetet amerikane thanë se një operacion ndërkombëtar i agjencive të zbatimit të ligjit ka shkatërruar platformën famëkeqe të viruseve “Qakbot” që përdorej jashtëzakonisht shumë nga kriminelët kibernetikë për të kryer krime financiare.

Fillimisht i zbuluar mbi një dekadë më parë, Qakbot përhapet kryesisht përmes emaileve që viktimat nuk dyshojnë se mund të jenë viruse.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se në operacion u përfshi Byroja Federale e Hetimit (FBI), por edhe institucione të zbatimit të ligjit nga Franca, Gjermania, Holanda, Britania, Rumania dhe Letonia.

Avokati i SHBA-së, Martin Estrada, tha se operacioni ndaj Qakbot ishte operacioni më i rëndësishëm teknologjik dhe financiar që është udhëhequr nga Departamenti amerikan i Drejtësisë kundër një ‘botnet’. Termi ‘botnet’ përdoret për t’iu referuar një rrjeti të ndërlidhur kompjuterësh që hakerët përdorin për të përhapur viruse.

“Së bashku kemi shkatërruar Qakbot dhe kemi shpëtuar viktima të shumta nga sulmet e reja”, tha ai gjatë një konference për media.

Hulumtuesit e sigurisë besojnë se Qakbot e ka origjinën nga Rusia dhe ka sulmuar organizata në mbarë botën.

Estrada tha se Qakbot ka infektuar me viruse mbi 70.000 kompjuterë të viktimave, ka lehtësuar kryerjen e sulmeve kibernetike dhe ka shkaktuar qindra miliona dollarë dëme për bizneset, ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësorë dhe agjencitë qeveritare.

Si pjesë e operacionit janë konfiskuar 52 serverë në SHBA dhe në shtete të tjera.

Hetuesit kanë gjetur të dhëna se midis tetorit të vitit 2021 dhe prillit të vitit 2023, administratorët e Qakbot kanë pranuar 58 milionë dollarë që viktimat kishin paguar.

XS
SM
MD
LG