Ndërlidhjet

Fëmijët në Raka, “të torturuar” me vite


Siri: Fëmijët sirianë të cilët janë larguar nga Raka, duke luajtur në kampin në Ais Issa. 2 maj, 2017
Siri: Fëmijët sirianë të cilët janë larguar nga Raka, duke luajtur në kampin në Ais Issa. 2 maj, 2017

Fëmijët që ikin nga qyteti verior i Sirisë, Raka, i cili është nën kontrollin e grupit militant Shteti Islamik qysh në vitin 2014, janë torturuar me vite, tha organizata bamirëse Save the Children.

Fëmijët e Rakas mund të duken normalë nga jashtë, por nga brenda shumica vuajnë nga ato që kanë parë”, tha drejtorja e Save the Children, Sonia Khush.

Prejse Shteti Islamik ka marrë kontrollin e qytetit, ai është bërë sinonim i praktikave të tmerrshme të grupit: prerje kokash në publik, vrasje me gurë dhe propagandë xhihadiste në shkolla.

Ne rrezikojmë të dënojmë një brez fëmijësh me vuajtje të përjetshme, nëse gjendja e tyre mendore nuk trajtohet”, tha Sonia Khush, nga organizata Save the Children.

Grupi me seli në SHBA tha se “ankthet” e fëmijëve në Raka - kryeqytetin e vetëshpallur të Shtetit Islamik - i ka rritur edhe fushata bombarduese.

Luftëtarët arabë dhe kurdë, të mbështetur nga fuqia ajrore e SHBA-së, kanë rrethuar qytetin dhe po përgatiten të nisin ofensivën finale, për rikthimin e kontrollit të tij.

Grupet monitoruese kanë thënë se qindra civilë janë vrarë prejse aleanca arabe-kurde ka hyrë në Raka në fillim të qershorit.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar ndalimin e luftimeve, për t’iu mundësuar civilëve të mbetur të ikin.

Rreth 20,000 njerëz – gjysma e tyre fëmijë – janë të bllokuar në Raka.

Save the Children mbështet rrugët e sigurta për fëmijët dhe familjet, por tha se ato janë vetëm fillimi i një procesi të gjatë për to.

Është e rëndësishme që fëmijët që kanë dalë të gjallë, të kenë mbështetje psikologjike për të trajtuar traumën”, tha Khush, drejtore e Save the Children.

Ky është një lloj stresi që ndërtohet me muaj për shkak të ekspozimit ndaj dhunës, bombardimeve dhe të jetuarit nën rrethim”, tha ajo.

Save the Children po ashtu tha se 90 përqind e fëmijëve kanë humbur një anëtar të familjes, i cili ose ka vdekur, ose është ndarë gjatë luftimeve.

Shteti Islamik akuzohet nga Kombet e Bashkuara dhe të tjerët për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Mund të duhen dekada për fëmijët e Rakas që t’i kapërcejnë vështirësitë psikologjike, tha Save the Children.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG