Ndërlidhjet

Pacientët blejnë barna me përshkrime në gjuhët që nuk i kuptojnë


Fotografi nga arkivi.

Në barnatoret e Kosovës shpeshherë haset në barna të cilat nuk kanë fletë-udhëzues në gjuhët zyrtare dhe sidomos mungon përshkrimi në gjuhën shqipe.

Para se të qarkullojnë në treg, barnat duhet t’u nënshtrohen procedurave të regjistrimit, por problem mbeten barnat që nuk janë të regjistruara.

Pacientja Merita Hasani, tha se shumë shpesh i ndodh që barnat që i blen nuk kanë fletë-udhëzues në gjuhën shqipe. Ato janë kryesisht në gjuhën serbe, kroate, në anglisht, gjermanisht, turqisht e gjuhë tjera.

“Mendoj se duhet patjetër të ketë fletë-udhëzues në gjuhën shqipe, pasi si pacientë duhet t’i dimë edhe anët anësore të atij ilaçi që e përdorim, pavarësisht se atë ta përshkruan mjeku. Sidomos kur barnat i blejmë për fëmijët, ato patjetër që njëherë dua t’i lexoj se çka përmbajnë dhe cilat janë efektet anësore, prej cilës moshë përdoret dhe cilat janë simptomat që shkaktohen nëse ka ndonjë efekt anësor”.

“Megjithëkëtë, më ka ndodhur shpesh që brenda fletë-udhëzuesit të mos ketë përshkrim në gjuhën shqipe, çka mendoj se është gabim në një vend ku flitet gjuha shqipe, të jetë një gjuhë tjetër brenda ilaçit”, tha Hasani.

Ndryshe, të gjitha barnat e regjistruara në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM) kanë brenda fletë-udhëzime në gjuhën shqipe, por edhe në një gjuhë tjetër.

Megjithatë, sipas Arian Ahmetit, shef i Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, është një kategori e barnave që nuk janë të regjistruara në Kosovë, por të cilat janë të nevojshme për pacientët e caktuar.

Sipas tij, këto lloj barnash që qarkullojnë në barnatore mund të mos kenë fletë-udhëzime në gjuhën shqipe.

“Nëse nuk ka fletë-udhëzim në gjuhën shqipe, është import pa paralele (barna të paregjistruara), por që është i nevojshëm për disa pacientë. Pjesa tjetër ishte dashur t’i kenë këto fletë-udhëzues në shqip”.

“Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale i aprovon, por Inspektorati Farmaceutik i kontrollon. Ne nuk e lëshojmë asnjë certifikatë të autorizimit në qoftë se nuk janë të përkthyera në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Ato që marrin certifikatë të autorizimit duhet ta kenë fletë-udhëzuesin dhe e kanë kryesisht”, tha Ahmeti.

Barnat me udhëzues në gjuhën serbe
Barnat me udhëzues në gjuhën serbe

Në anën tjetër, inspektorët farmaceutikë në vend, thonë se po që se haset në barna pa fletë-udhëzim në gjuhën shqipe, urdhërohet Inspektorati që të bllokojë produktin në fjalë.

Shaban Osmanaj, inspektor farmaceutik, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vitin 2019, në Doganat e Kosovës janë ndaluar 194 lëndë dhe iu është dhënë vërejtje.

Më pas, siç thotë ai, është dalë edhe në teren, ku gjatë këtij viti janë dënuar dy depo dhe dy barnatore, në të cilat janë hasur barna që nuk kanë pasur fletë-udhëzim në gjuhën shqipe.

“Ne së pari e verifikojmë nga cila kompani është ofruar ky produkt, a ka pasur marketing, autorizimin, e më pas merren masa. Inspektimi i parë bëhet në Doganë, pasi që çdo ilaç që hyn kontrollohet nëse ka fletë-udhëzim dhe nëse nuk ka lajmërohet dhe i lejohet furnizuesit të shpërndahet nëpër barnatore”.

“Të gjitha lëndët janë dërguar në Agjencinë Produkte për Pajisje Medicinale. Atje do të verifikohet nga cila depo farmaceutike ka ardhur dhe deri në sqarim të rastit, malli bllokohet”, tha Osmanaj.

Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve, tha se barnat para se të qarkullojnë në treg duhet t’u nënshtrohen procedurave të regjistrimit në AKPM. Një nga kërkesat për regjistrim është edhe fletë-udhëzuesi në gjuhën shqipe.

“Rrjedhimisht, të gjitha produktet e regjistruara e kanë të aprovuar fletë-udhëzuesin për pacientë në gjuhët zyrtare në Kosovë. Inspektorati Farmaceutik në rastin që sheh se produktet janë pa udhëzues në gjuhën shqipe, duhet të ndërmarrë masat e parapara dhe një nga to është të lajmërojë edhe AKPM-nëdhe më pas mund të pezullojë autorizimin e dhënë, për shkak të shkeljes së normave të autorizimit”, tha Jakupi.

Sidoqoftë, barnat nëpër barnatoret e Kosovës nuk kanë as çmim të unifikuar. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Qytetarët në vazhdimësi janë ankuar për faktin se çmimet e barnave, në shumë raste janë mjaft të dallueshme nga barnatorja në barnatore, varësisht se ku blihen.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG