Ndërlidhjet

Forcat afgane synojnë të rimarrin kontrollin e Kunduzit


Forcat e sigurisë afgane patrullojnë pasi morën përsëri kontrollin e pjesëve të qytetit të Heratit pas luftimeve me talibanët.
Forcat e sigurisë afgane patrullojnë pasi morën përsëri kontrollin e pjesëve të qytetit të Heratit pas luftimeve me talibanët.

Forcat afgane të sigurisë filluan një kundërsulm ndaj talibanëve në përpjekje për të rimarrë kontrollin e qytetit verior Kunduz, i cili është nën kontrollin e grupit militant.

Reuters raporton se banorët të cilët iknin nga qyteti kanë thënë se luftimet dhe të shtënat e armëve janë të vazhdueshme.

Kunduzi është një nga të paktën tre qytetet e mëdha të cilat janë vënë nën kontrollin e talbanëve ditët e fundit. Ky qytet vlerësohet të ketë rëndësi të madhe strategjike.

Luftime janë raportuar edhe në rajone tjera.

Në zonën perëndimore, pranë kufirit me Iranin, zyrtarët e sigurisë i thanë Reuters se luftime të ashpra po zhvilloheshin në periferi të Heratit. Kreu i një spitali në këtë zonë, Arif Jalali, tha se 36 persona ishin vrarë dhe 220 ishin plagosur gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit.

“Në mesin e të vdekurve ka gra dhe fëmijë. Më shumë se gjysma e të plagosurve ishin civilë”, tha ai.

Të hënën në mëngjes në provincën jugore të Helmandit, një vatër e talibanëve, zyrtarët e sigurisë raportuan për një shpërthim të fuqishëm.

Më 9 gusht forcat afgane të sigurisë luftuan me militantët talibanë edhe në provincat veriore të Balkh dhe Takhar.

"Forcat amerikane kanë kryer disa sulme ajrore në mbrojtje të partnerëve tanë afganë ditët e fundit", tha major Nicole Ferrara, një zëdhënëse e Komandës Qendrore të Ushtrisë së SHBA-së për CNN, pa dhënë detaje se ku u bënë ato sulme.

Një zëdhënës i talibanëve paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të mos ndërhyjnë për të mbështetur forcat e qeverisë afgane.

Talibanët filluan një ofensivë kundër forcave qeveritare që kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera, në muajin maj, filluan tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve luftarake atje.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG