Ndërlidhjet

Franca do të kërkojë pasaportën shëndetësore nëpër kafiteri nga 9 gushti


Pamje e një kafiterie në Paris.

Nga 9 gushti, Franca do të zbatojë legjislacionin e ri që e bën të detyrueshme pasaportën shëndetësore për hyrje në kafiteri, udhëtim me aeroplan apo udhëtim me tren nga qyteti në qytet, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë franceze Gabriel Attal, të mërkurën.

Legjislacioni i miratuar nga Parlamenti në fundjavë, ka nxitur protesta masive në Francë, mirëpo Qeveria është e bindur për ta çuar atë përpara dhe për t’i bërë pasaportat shëndetësore pikë kyçe në luftën kundër koronavirusit.

Një pasaportë e vlefshme shëndetësore sigurohet nga vaksinimi i plotë, testi negativ për koronavirus, apo shërimi nga infektimi.

Legjislacioni e bën të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët shëndetësorë.

Një dokument i tillë ka qenë obligativ nga 21 korriku për vizita nëpër muze, kinema dhe qendra kulturore me kapacitet jo më shumë se 50 persona.

Mirëpo zëdhënësi Attal ka thënë se pasaporta shëndetësore do të jetë e obligueshme në kafiteri, restorante, fluturime dhe udhëtime tjera të brendshme në Francë.

Sipas tij, rritja e numrit të të infektuarve është nxitur nga varianti Delta, me një mesatare prej 19,000 rastesh në ditë, çka nënkupton se situata shëndetësore në Francë “po vazhdon të përkeqësohet dhe po bëhet shqetësuese”.

Njoftimi i tij ka ardhur teksa të dhënat kanë treguar se 50 për qind e popullsisë së rritur në Francë, tani është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Politika me pasaportë shëndetësore është arma kryesore e Francës për të luftuar koronavirusin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë gjatë fundjavës se refuzimi për të marrë vaksinën përbën “mungesë të përgjegjësisë dhe egoizëm”.

XS
SM
MD
LG