Ndërlidhjet

Senatorët francezë votojnë për ndalimin e shamisë në garat sportive


Disa sportiste të Afganistanit. Fotografi ilustruese.
Disa sportiste të Afganistanit. Fotografi ilustruese.

Senati i Francës ka votuar për ndalimin e mbajtjes së shamive të kokës në garat sportive, duke argumentuar se neutraliteti është kërkesë në fushën e lojës.

Dhoma e Lartë legjislative franceze votoi për ndryshimin e një ligji duke thënë se veshja “e simboleve të dukshme fetare është e ndaluar” gjatë pjesëmarrjes në ngjarje dhe gara të organizuara nga federatat sportive.

Në tekstin e ligjit, senatorët qartazi thanë se ky ndryshim ka për qëllim të ndalojë “mbajtjen e shamisë së kokës në garat sportive”. Senatorët shtuan se shamia e kokës mund të vë në rrezik sigurinë e atletëve që i mbajnë ato gjatë ushtrimit të sportit të tyre.

Ky ndryshim u propozua nga grupi i krahut të djathtë, Republikanët dhe u kundërshtua nga Qeveria franceze. Megjithatë, në favor të ndryshimit votuan 160 senatorë dhe 143 ishin kundër.

Një komision me anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Ulët, tani duhet të mblidhen dhe të gjejnë kompromis para se teksti të publikohet, që nënkupton se ky amendament mund të ndryshohet.

Është e paqartë nëse kjo pjesë e ligjit do të zbatohet gjatë Lojërave Olimpike Parisi 2024. Komiteti Olimpik ende nuk ka reaguar lidhur me këtë ndryshim.

XS
SM
MD
LG