Ndërlidhjet

Kovaçevski tenton të dalë nga "hija e Zaevit"


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në mensën e studentëve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së fundmi ka intensifikuar promovimin e aktiviteteve të tij dhe kabinetit qeveritar në rrjetet sociale përmes fotografive dhe videove profesionale. Këto aktivitete kanë marrë intensitet nga 25 tetori, kur partia e kryeministrit Kovaçevski, Lidhja Social-Demokrate, filloi fushatën “Fuqishëm dhe me vendosmëri’.

Për prezantimin e aktiviteteve të kryeministrit dhe ministrave, janë angazhuar 20 fotografë dhe xhirues profesionalë që paguhen nga buxheti i shtetit.

Ekspertët e mediave thonë se qytetarët është mirë të jenë të informuar për aktivitetet e zyrtarëve të vendit. Por, sipas tyre, në kushte krize është e pakuptimtë të angazhohen shumë fotografë dhe xhirues profesionalë për të ndjekur aktivitetet e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar për të prezantuar realizimin e obligimeve, për të cilat ata marrin rrogë.

“Kjo i ngjan një lufte propaganduese mes institucioneve dhe partive”, thotë Zharko Nastovski, gazetar. Ai shton se në këtë mënyrë synohen të pasivizohen gazetarët duke ofruar informacionin e gatshëm nga zyrat e informacionit të Qeverisë dhe ministrive me vënie në dispozicion të fotografive dhe videove profesionale.

Ndryshe, kryeministri Kovaçevski të dielën në faqen e tij në rrjetin social në Facebook ka publikuar një video ku shfaqet duke drekuar me studentët ku ai personalisht si narrator thotë se angazhohet për një standard më të lartë të studentëve.

Kovaçevski në mensën e studentëve.
Kovaçevski në mensën e studentëve.

Por, nga fotot që i kanë dërguar studentët Radios Evropa e Lirë duket qartë se një shujtë në mensën studentore është shumë më e varfër se ajo që prezantoi kryeministri.

Kovaçevski më 21 nëntor është shfaqur teksa ngjyros me fëmijët gjatë promovimit të një kopshti për fëmijë.

Ndërkohë që numër i madh i shkollave përballen me mungesën e kushteve elementare.

Gjatë kësaj jave dhjetëra shkolla dhe kopshte për fëmijë, madje, edhe në kryeqendër, për shkak të problemit me ngrohjen qendrore punojnë me orar të shkurtuar.

Kryeministri Kovaçevski gjatë fundjavës (26 nëntor) ka vizituar një çift në pension, me ç`rast, siç ka theksuar në postimin e tij në Facebook, “Qeveria që kryeson, angazhohet për mirëqenien e statusit të pensionistëve duke rritur pensionet”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë vizitës së një çifti në pension.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë vizitës së një çifti në pension.

Por, pensionistët thonë se rritja e pensioneve për 1000 denarë, rreth 16 euro, është e papërfillshme kundrejt inflacionit që në bazë të të dhënave të Lidhjes së Sindikatave është mbi 20 për qind, përkatësisht rritjes së çmimeve të produkteve bazë prej 100 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Me njëmijë denarë pensionistët mund të blejnë 11 litra qumësht.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, gjatë kësaj jave më 28 nëntor është shfaqur dhe në krye të punimeve në ndërtimin e rrugës drejt Prilepit përkatësisht hapjes së një tuneli me ç’rast ka theksuar se “punohet me intensitet për ndërtimin e kësaj rruge që është me rëndësi të veçantë për rajonin e Pelargonisë.


Ndërkohë, afaristët dhe qytetarët në vazhdimësi kanë adresuar kritika të ashpra drejt Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për shkak të ngecjeve me vite për sa i përket ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, që lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

Çka synon të arrijë me fushatën mediatike kryeministri Kovaçevski?

Xhelal Neziri nga qendra për gazetari hulumtuese SCOOP për Radion Evropa e Lirë thotë se fushata e Kovaçevskit është për të dalë nga hija e ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe përgatitje për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme.

“Kryeministri Kovaçevski dëshiron të përforcojë pozicionin e tij brenda partisë, po edhe pozicionin e partisë së tij në skenën politike të vendit, por njëherësh dëshiron të bëhet gati nëse ndonjë skenar do të prodhonte zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thotë Neziri.

Ai thekson se një skenar i tillë që do të prodhonte nevojën për zgjedhje të parakohshme mund të jetë dështimi i ndryshimeve kushtetuese si rezultat i Marrëveshjes me Bullgarinë që imponoi futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

A hyn Kovaçevski në rrugën e populizmit si Gruevski?

Nga ana tjetër, Zharko Nastovski, gazetar, thotë se politikanët tashmë e kanë kuptuar se populizmi akoma mbetet letra më fitimprurëse për sa i përket stabilitetit të Qeverisë, por edhe rritjes së numrit të votuesve.

“Kohën e fundit e shohim kryeministrin në shumë role që deri më tani nuk e kishim parë. Kjo bëri që të tërhiqet një paralele me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe strategjinë e tij për të qenë në krye të shumë zhvillimeve në vend”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Zharko Nastovski.

Ndryshe, Dimitar Kovaçevski u zgjodh kryeministër pa u futur në fushatë zgjedhore para 10 muajve pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, si pasojë e rezultatit të dobët që tregoi partia e tij gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG