Ndërlidhjet

Futbolli si trashëgimi e luftës


Arb Manaj duke festuar golin që ia dedikoi babait të tij.
Arb Manaj duke festuar golin që ia dedikoi babait të tij.

“Sot 22 vjet pa ty baba i dashur, jam duke u munduar që të të bëj krenar gjithmonë, ashtu siç më bëre ti mua...Unë do të kujtoj gjithmonë edhe pse nuk të njoha kurrë”.

Këtë dedikim, sulmuesi kosovar Arb Manaj, e bëri më 4 prill, pas shënimit të golit për skuadrën e tij ‘Balikeserispor’ në Turqi.

Data 4 prill, është dita kur babai tij, në moshën 25-vjeçare, u vra nga forcat serbe në vitin 1999.

Atëkohë, Arb Manaj ishte vetëm tetëmuajsh dhe nuk ka asnjë kujtim me të atin. Por, trashëgim ka ëndrrën e tij, të cilën është duke e realizuar.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Arb Manaj ka treguar për lidhjen që ka me futbollin dhe me luftën e fundit të Kosovës.

“Babanë nuk e kam njohur se kam qenë vetëm tetëmuajsh kur babai im ka vdekur”, fillon bisedën sulmuesi që ka shënuar dhjetë gola këtë sezon në Turqi.

Arb Manaj së bashku me gjyshin dhe nënën e tij.
Arb Manaj së bashku me gjyshin dhe nënën e tij.

“Futbollin e kam trashëgim jo vetëm nga babai, por edhe nga familjarët e tjerë sepse edhe axhallarët e mi kanë luajtur futboll dhe normalisht kjo është një shtytje që të vazhdoj me futboll dhe një motiv shtesë që të vazhdoj ëndrrën e time dhe të babait tim. Babai im nuk ka mundur të luajë në ndonjë ekip të huaj për shkak të rrethanave që kanë qenë”, shprehet Manaj.

Ai tregon se kur ka filluar të luajë futboll si fëmijë gjashtëvjeçar, nëna e tij ishte kundër. Mirëpo, tash ajo është krenare për të birin.

Karrierën e filloi në ekipin ku luajti edhe babai i tij.

“Kur kam filluar, nëna nuk ka qenë e pajtimit dhe më thoshte se duhet të përkushtohem më shumë nga mësimi. Por, gjyshi (babai i babës), ka qenë ai që më ka regjistruar së pari në futboll. Kam filluar fillimisht në klubin ‘Dukagjini’ të Klinës, aty ku ka luajtur edhe babai im”, tregon ai.

Fanella e Kosovës, ëndrra e madhe

Tash, 22-vjeçar, sulmuesi Arb Manaj, luan në Ligën e Parë të Turqisë. Këtë sezon ai ka shënuar dhjetë gola.

Fanella që Manaj veshi në ndeshjen që luajti për Kosovën.
Fanella që Manaj veshi në ndeshjen që luajti për Kosovën.

Ai ëndërron të luajë në njërën nga pesë ligat më të forta në Evropë. Por, ëndrra më e madhe është që të veshë fanellën e Kosovës.

“Kam qenë vetëm një herë i ftuar nga Kosova A (ekipi i parë), në ndeshjen miqësore kundër Suedisë në Katar. Shpresoj që të më thërrasë trajneri sërish. Unë për këtë punoj dhe ajo është ëndrra më e madhja ime, sepse është privilegj i madh që të përfaqësosh vendin për të cilin babai im dha jetën”, tha Manaj.

Njëzetedyvjeçari Arb Manaj u transferua në Turqi në vitin 2020, pas suksesit që kishte në klubin e njohur kosovar ‘Trepça 89’.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG