Ndërlidhjet

Gara për IA: Kazakistani përballet me presion për të zgjedhur mes SHBA-së dhe Kinës

Kazakistani iu bashkua nismës amerikane, Pax Silica më 25 qershor. Më 16 korrik, Kina lansoi nismën e saj për inteligjencë artificiale, WAICO, që u mbështet nga Astana.
Kazakistani iu bashkua nismës amerikane, Pax Silica më 25 qershor. Më 16 korrik, Kina lansoi nismën e saj për inteligjencë artificiale, WAICO, që u mbështet nga Astana.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë ndërmarrë nisma për të ndikuar në të ardhmen e Inteligjencës Artificiale (IA) dhe Kazakistani mund të detyrohet të zgjedhë njërën palë. Si i vetmi vend që i është bashkuar si nismës amerikane Pax Silica, ashtu edhe Organizatës së Kinës për Bashkëpunim në Inteligjencën Artificiale (WAICO), politika e tij e jashtme po përballet me presion të ri, ndërsa Uashingtoni dhe Pekini garojnë për ndikim teknologjik.

Pozita e pazakontë e Kazakistanit ka tërhequr vëmendjen e Uashingtonit, teksa Shtetet e Bashkuara përpiqen të kufizojnë ndikimin e Kinës në teknologjinë e IA-së dhe zinxhirët e furnizimit të saj. Agjencia Reuters raportoi muajin e kaluar se Qeveria amerikane po përgatitej t’u thoshte dhjetëra vendeve se duhet të zgjedhin mes nismave konkurruese për IA-në.

Një draft-letër e Departamentit amerikan të Shtetit, të cilën e ka parë Reuters, paralajmëroi se vendet që i bashkohen kornizës rivale të Kinës mund të përjashtohen nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja.

“Të jesh pjesë e gjithçkaje do të thotë të mos jesh pjesë e asgjëje”, thuhet në draft-letër, ku përshkruhet pjesëmarrja në Pax Silica si një angazhim dhe jo thjesht si anëtarësim.

Në kohën kur u raportua për të, draft-letra nuk ishte dërguar dhe nuk ka asnjë të dhënë se Uashingtoni i ka kërkuar kërkuar zyrtarisht Kazakistanit të tërhiqet nga ndonjëra prej këtyre nismave.

Por, mesazhi vë në pah vështirësinë në rritje për vende si Kazakistani, që synojnë të ruajnë lidhjet ekonomike dhe teknologjike me të dyja fuqitë.

Ndërkaq, Kina ka kundërshtuar idenë se vendet duhet të detyrohen të zgjedhin njërën palë. Ambasada e saj në Uashington i bëri thirrje SHBA-së të ndalojë nxitjen e shteteve që të zgjedhin vetëm një nismë dhe të shmangë politizimin e çështjeve të tregtisë dhe teknologjisë.

Presioni vjen në një kohë kur IA-ja po ndërlidhet gjithnjë e më shumë me sigurinë kombëtare, industrinë, energjinë dhe infrastrukturën.

Pax Silica, e lansuar nga Uashingtoni në dhjetor të vitit 2025, përqendrohet në sigurimin e zinxhirëve të furnizimit për mineralet kritike, gjysmëpërçuesit, energjinë, qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën kompjuterike të nevojshme për ekonominë e bazuar në IA. Aktualisht, kjo nismë ka 25 nënshkrues, përfshirë Bashkimin Evropian, Japoninë dhe Singaporin.

Kazakistani e nënshkroi deklaratën më 25 qershor, duke u bërë vendi i parë i Azisë Qendrore që iu bashkua nismës.

WAICO, ndërkaq, u themelua në Shangai më 16 korrik, ndërsa 29 vende nënshkruan marrëveshjen për krijimin e organizatës. Anëtarët e saj përfshijnë Kinën, Rusinë, Kazakistanin, Uzbekistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Pakistanin, Indonezinë dhe Brazilin.

Organizata thotë se synon të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar për qeverisjen, standardet dhe zhvillimin e IA-së, si dhe që të zvogëlojë hendekun teknologjik mes vendeve.

Një ekuilibër i kujdesshëm

Për Kazakistanin, secila prej këtyre nismave ofron mundësi të ndryshme.

Uashingtoni ka thënë se Pax Silica synon të krijojë zinxhirë të besueshëm furnizimi që përfshijnë mineralet, gjysmëpërçuesit, prodhimin, energjinë dhe infrastrukturën e IA-së.

Kjo mund t’i sigurojë vendit qasje në investime, teknologji dhe partneritete në zinxhirët e furnizimit të udhëhequra nga SHBA-ja. Kazakistani, i cili ka rezerva të mëdha mineralesh kritike, të nevojshme për teknologjitë e avancuara dhe infrastrukturën e IA-së, është një aleat i rëndësishëm për këtë nismë.

Ndërkaq, WAICO i ofron Kazakistanit një rol në një kornizë të mbështetur nga Kina për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e IA-së. Pekini ka promovuar modele të inteligjencës artificiale si alternativa më të qasshme për vendet që nuk mund t’i përballojnë ose nuk kanë qasje në sistemet kryesore.

Kazakistani thotë se pjesëmarrja në të dyja kornizat është në përputhje me politikën e tij të jashtme. Presidenti kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, tha në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua se inteligjenca artificiale duhet t’i shërbejë njerëzimit dhe se vendet duhet të kenë qasje fer në teknologjitë moderne.

Duke iu referuar pjesëmarrjes së Kazakistanit në WAICO, Toqaev tha: “Qasjet tona përputhen me qëndrimin e Kinës për këtë çështje”, duke e përshkruar këtë hap si pjesë të përpjekjeve drejt një “sistemi ndërkombëtar të hapur dhe efektiv” për koordinimin e përpjekjeve në fushën e inteligjencës artificiale.

Ky ekuilibër i ka shërbyer Kazakistanit prej vitesh.

Vendi i pasur me burime natyrore ka ruajtur lidhje të ngushta ekonomike me Kinën, teksa ka kultivuar njëkohësisht marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Astana ka kërkuar investime perëndimore në sektorët e energjisë dhe minierave, duke mbetur thellësisht e lidhur me Rusinë dhe Kinën fqinje.

Partnerë të besueshëm

Por inteligjenca artificiale mund ta ngushtojë hapësirën për manovrim.

Ndryshe nga tregtia tradicionale, inteligjenca artificiale përfshin gjithnjë e më shumë infrastrukturë strategjike, kompjuterizim të avancuar, qendra të të dhënave, gjysmëpërçues dhe teknologji që mund të kenë edhe përdorim ushtarak.

Uashingtoni po sinjalizon se dëshiron që vendet që marrin pjesë në ekosistemin e tij të inteligjencës artificiale të jenë partnerë të besueshëm dhe jo thjesht pjesëmarrës tregtarë.

“Është e vështirë të shihet se si një vend mund ta pozicionojë veten si partner i besueshëm në një ekosistem teknologjik, ndërkohë që njëkohësisht i bashkohet një nisme të dizajnuar nga Kina për të avancuar një vizion konkurrues për inteligjencën artificiale”, i tha një zyrtar amerikan Reutersit.

Rezervat e Kazakistanit me minerale kritike ia shtojnë rëndësinë në zinxhirin e furnizimit në zhvillim për inteligjencën artificiale, ndërsa pozita e tij gjeografike e bën një partner të rëndësishëm në Azinë Qendrore.

“Nuk mendoj se Astana bëri gabim duke iu bashkuar të dy blloqeve. Por, duket se Astana llogariti gabim një gjë: Me sa duket, nuk priste që Uashingtoni të vendoste një vijë të kuqe dhe t’i thoshte Kazakistanit se duhej të zgjidhte mes dy blloqeve”, tha për Radion Evropa e Lirë analisti Wilder Alejandro Sanchez, president i kompanisë me bazë në Uashington, Second Floor Strategies.

Ai sugjeroi se Astana mund të kërkojë bisedime me Uashingtonin, duke bërë të qartë se nuk dëshiron të zgjedhë mes SHBA-së dhe Kinës.

Për momentin, Kazakistani nuk është detyruar të bëjë këtë zgjedhje. Por, gara që po zhvillohet sugjeron se politika e tij tradicionale shumëvektoriale mund të përballet me një provë më të vështirë në teknologji sesa në fusha të tjera.

Pyetja për Astanën mund të jetë jo thjesht se me cilat vende tregton, por se në cilin ekosistem teknologjik mbështetet për të ndërtuar infrastrukturën e tij të inteligjencës artificiale.

Aftësia e Kazakistanit për të ruajtur lidhjet si me Uashingtonin, ashtu edhe me Pekinin mund të jetë në vetvete një aset për Shtetet e Bashkuara, tha Ken Moriyasu, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson. Ai argumentoi se fleksibiliteti i Astanës ndihmon në ruajtjen e rëndësisë së vendit për strategjinë amerikane në Euroazi.

“Ky qëndrim shumë fleksibil i Kazakistanit është shumë i dobishëm për strategjinë e SHBA-së”, i tha Moriyasu The Astana Times.

“Mbajtja e Kazakistanit si aleat dhe partner të besueshëm në këtë përpjekje është më e rëndësishme sesa detyrimi i tij për të zgjedhur njërën palë në Pax Silica”, tha ai.

XS
SM
MD
LG