Ndërlidhjet

Gazetarët e bojkotojnë konferencën e ministres Hajdari


Gazetarët e bojkotuan të martën një konferencë për media të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, në të cilën ajo doli të fliste për çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Ministria e udhëhequr nga Hajdari e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës më 28 korrik, duke hapur rrugën për mbylljen e televizionit.

Një gazetare e Klan Kosovës e bojkotoi e para konferencën e ministres Hajdari më 1 gusht në Prishtinë, dhe hapat e saj i ndoqën edhe mediat e tjera duke dalë nga salla njëkohësisht.

Bojkoti ndaj ministres së Qeverisë së Albin Kurtit vjen vetem një ditë pasi gazetarët protestuan në sheshet e Prishtinës kundër vendimit.

Gazetarët kundër "kontrollit nga Qeveria"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Si erdhi deri te kjo situatë?

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës".

MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhet në njoftimin e Klan Kosovës.

Ministria e përsëriti të hënën, ditën e protestës, se komisioni i saj e ka mbyllur këtë çështje, pra do ta mbajë në fuqi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit, por konfirmoi se Klan Kosova gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje "teknike””, tha MINT të hënën.

Por, vendimi i Ministrisë së Industrisë ka ngjallur reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim “shumë të thellë” me vendimin e MINT-it për ta konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka duke kërkuar që çështja e licencës së televizionit të bëhet "duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit", kryeministri Albin Kurti e ka mbrojtur vendimin, duke thënë se “zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.”

Juristja e së drejtës së medias në Prishtinë, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari "kanë marrë vendim politik për të mbyllur Klan Kosovën".

XS
SM
MD
LG