Ndërlidhjet

Shpërthim në tubacionin e gazit të Lituanisë dhe Letonisë


Sistemi i transportit të gazit. Fotografi ilustruese.

Gazsjellësi që lidh Lituaninë dhe Letoninë u godit nga një shpërthim, të premten, më 13 janar, por nuk ka prova të menjëhershme për një sulm, tha operatori Amber Grid, i cili transporton gaz nga Lituania.

Një video e publikuar nga transmetuesi publik lituanez LRT tregon zjarrin e ndezur në vendin e shpërthimit në qarkun Panevezys në Lituaninë veriore. Drejtori ekzekutiv i operatorit lituanez të gazsjellësit tha se zjarri është shuar.

“Sipas vlerësimit fillestar, ne nuk shohim ndonjë shkak malinj, por hetimi do të mbulojë të gjitha opsionet e mundshme”, tha në një konferencë për shtyp drejtori ekzekutiv i Amber Grid, Nemunas Bykniu.

Furnizimi me gaz u ndërpre, por drejtori ekzekutiv tha se shpërthimi dëmtoi një nga dy tubacionet paralele që dërgojnë gaz nga Lituania në Letoni dhe se planifikohet që të rivendoset furnizimi.

“Ne planifikojmë të rivendosim furnizimin me gaz brenda pak orësh, në sasi të krahasueshme. Ne planifikojmë që klientët të mos e ndjejnë ndikimin e kësaj ngjarjeje”, u tha Biknius gazetarëve.

Lituania, ashtu sikurse Ukraina, e cila është shkatërruar nga lufta, kufizohet me Rusinë dhe ndodhet në Detin Baltik, ku tubacionet e gazit të gazsjellësit Rjedha e Veriut, Rusi-Gjermani, u shkatërruan nga shpërthimet e vitit të kaluar.

Flakët fillimisht u ngritën rreth 50 metra (160 këmbë) në ajër dhe mund të shiheshin të paktën 17 km (11 milje) larg, tha LRT.

Agjencia baltike e lajmeve BNS njoftoi se nuk pati të lënduar apo të vdekur.

Povilas Balciunas, kreu i administratës publike në qytetin e afërt të Pasvalis, i tha Reutersit se flakët fillimisht shiheshin si një “pishtar i madh” përpara se të shuheshin.

XS
SM
MD
LG