Ndërlidhjet

Gërvalla: Tërheqjet e ambasadorëve, një hap drejt reformimit të shërbimit diplomatik


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla, ka thënë të enjten se lirimet e fundit nga detyra të ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook.

Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka miratuar më 19 maj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të këyre ambasadorëve.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, nga Zyra për informim e Presidencës së Kosovës.

Largimin nga pozita e ambasadorit, e ka konfirmuar edhe Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Australi, përmes një postimi në Facebook të enjten.

“Në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra”, ka shkruar ai, duke shtuar se kërkesa e Qeverisë për lirimin e tij në gjysmë të mandatit “nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”, ka shkruar Abazi.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se bëhet fjalë për largimin e 12 ambasadorëve.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës të emëruar politikë, e ka konsideruar si suspendim të politikës së jashtme të Kosovës.

Sipas tij, ky vendim përbën skandalin më të madh në politikën e jashtme.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq.

Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.

XS
SM
MD
LG