Ndërlidhjet

Ghani thotë se iku nga talibanët "për ta shpëtuar Kabulin"


Presidenti afgan i përmbysur nga pushteti Ashraf Ghani.
Presidenti afgan i përmbysur nga pushteti Ashraf Ghani.

Presidenti afgan i përmbysur nga pushteti, Ashraf Ghani, ka folur publikisht për ikjen e tij të papritur nga Kabuli më 15 gusht, ndërkohë që luftëtarët talibanë kanë hyrë në kryeqytet.

Duke thënë se “ia ka borxh një sqarim popullit afgan”, Ghani ka thënë përmes një postimi në Twitter se nuk ka qenë kurrë qëllimi i tij që të braktisë njerëzit.

Mirëpo ai ka thënë se “pasi talibanët kanë hyrë papritur në qytet”, zyrtarët e sigurisë në pallat i kanë kërkuar të largohet "sepse ka pasur rrezik që të përsëriten luftimet sikurse ato të luftës civile në vitet 1990".

Ghani ka udhëtuar nga Kabuli drejt Emirateve të Bashkuara Arabe ku ka kërkuar azil politik.

Talibanët kanë shpallur qeverinë e re, të udhëhequr nga veteranët e grupit militant islamist, ndërkohë që disa afganë kanë protestuar kundër vendosjes së kufizimeve të ashpra në liritë e njerëzve dhe grave.

Lideri i Frontit Kombëtar të Rezistencës, Ahmad Masud, djali i komandantit të vdekur, të njohur si “luani i Panjshirit”, Ahmad Shah Masud, është zotuar se do t’i rezistojë autoritetit të talibanëve në provincën Panjshir, me ndihmën e mijëra luftëtarëve të dedikuar.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se mosgatishmëria e forcave afgane ka luajtur rol në rënien e Qeverisë dhe se Ghani ka dekurajuar evakuimet në mënyrë që të shmanget një eksod masiv nga Afganistani.

Në deklaratën e tij më 8 shtator, Ghani ka thënë se “tani nuk është momenti i analizimit të ngjarjeve që kanë rezultuar me largimin tim”, mirëpo është zotuar për të diskutuar për to në të ardhmen e afërt.

“Largimi nga Kabuli ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time”, ka thënë Ghani, “mirëpo mendoj se ka qenë mënyra e vetme për të mbajtur armët të heshtura dhe për të shpëtuar Kabulin bashkë me gjashtë milionë qytetarët e tij”.

“Kam dhënë 20 vjet të jetës sime për t’i ndihmuar popullit afgan që të punojë drejt ndërtimit të një shteti demokratik dhe sovran – nuk ka qenë kurrë qëllimi im që të braktisë njerëzit apo atë vizion”, ka thënë mes tjerash Ghani.

Ushtria amerikane i ka dhënë fund misionit të tij në Afganistan më 30 gusht të këtij viti.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

XS
SM
MD
LG