Ndërlidhjet

Gjenden mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në Zubin Potok

Fshati Kalludër e Vogël i Zubin Potokut ku ekipet kosovare të forenzikës po gërmojnë pas gjetjes së mbetjeve të dyshuara mortore nga lufta e viteve 1998-'99 në Kosovë, 29 korrik 2026.
Fshati Kalludër e Vogël i Zubin Potokut ku ekipet kosovare të forenzikës po gërmojnë pas gjetjes së mbetjeve të dyshuara mortore nga lufta e viteve 1998-'99 në Kosovë, 29 korrik 2026.

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë njoftuan të premten se kanë gjetur mbetje njerëzore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në Zubin Potok.

Ky zbulim vjen ndërsa në këtë komunë veriore po vazhdojnë gërmimet pas dyshimeve për mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-‘99.

Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës thanë të premten në një komunikatë të përbashkët se gjatë veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar.

“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në njoftim.

Gërmimet në Zubin Potok

Ekipet e forenzikës kosovare janë prej javësh duke gërmuar në tri lokacione në Zubin Potok, përfshirë në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jakubë, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të tre të dyshuarve lidhur me këtë rast nën dyshimin për krime lufte.

Autoritetet kosovare thanë se kanë dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më parë se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.

Kosova i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për të bashkëpunuar në gjetjen e vendndodhjes së varreve të mundshme masive, përfshirë përmes hapjes së arkivave ushtarake.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit.

Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Autoritetet kanë thënë se është herët të flitet për identifikimin e viktimave të mundshme nga mbetjet mortore në Zubin Potok, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve.

Por, Kurti e ka përsëritur se mbetjet e dyshuara njerëzore në Kalludër të Vogël mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.

Dyshimet për varrezë masive ngjallin shpresën për “grupin e intelektualëve të Mitrovicës”
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:12 0:00

Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-'99.

Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.

XS
SM
MD
LG