Ndërlidhjet

KE i kërkon Gjermanisë të investojë më shumë në energjinë e ripërtërishme


Një termocentral në Gjermani që prodhon energji përmes djegies së qymyrit. Fotografi nga arkivi.
Një termocentral në Gjermani që prodhon energji përmes djegies së qymyrit. Fotografi nga arkivi.

Gjermania duhet të investojë më shumë në burimet e energjisë së ripërtërishme dhe të largohet nga lëndët djegëse fosile, porositi Komisioni Evropian më 24 maj.

Komisioni, që është krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, këshilloi ekonominë më të madhe në Evropë që të reduktojë më tej varësinë e saj ndaj lëndëve djegëse fosile. Kjo kërkesë është në kuadër të disa rekomandimeve të politikave ekonomike, që janë pjesë e një analize më të gjerë që i është prezantuar shteteve anëtare të BE-së.

Komisioni Evropian theksoi nevojën që qeveritë e BE-së të ulin mbështetjen për amvisëritë dhe bizneset sa i përket kostove të larta të energjisë elektrike dhe të përdorin kursimet për të paguar borxhin e akumuluar që nga pandemia e koronavirusit.

“Përderisa çmimet e energjisë kanë rënë së fundmi, ne ende përballemi me shumë sfida”, tha zëvendëspresidenti i KE-së, Valdis Dombrovskis, përmes një deklarate, duke vënë në pah nivelin e lartë të inflacionit në shtetet e bllokut evropian.

Komisioni në mënyrë specifike ka këshilluar Gjermaninë që të rrisë përpjekjet për të përmirësuar efiçencën e energjisë në industri, ndërtim dhe transport. Megjithatë, Komisioni tha se vlerëson se Gjermania është në rrugën e duhur për uljen e balancave makroekonomike.

Ky trup i BE-së këshilloi Gjermaninë që të ndjekë politika “të matura” për shpenzimet dhe taksat. KE po ashtu paralajmëroi se rregullat për borxhin në BE, që u pezulluan gjatë pandemisë, do të hyjnë sërish në fuqi më 2024.

“Gjermania duhet të marrë parasysh këtë fakt” kur të bëjë shpenzimet e buxhetit kombëtar më 2023 dhe kur të hartojë planet për shpenzimet më 2024, u tha në rekomandimet e Komisionit Evropian.

XS
SM
MD
LG