Ndërlidhjet

Rusia "publikoi dokumente konfidenciale" për Ukrainën


Flamuri i Gjermanisë dhe i Francës. Fotografi nga arkivi.

Franca dhe Gjermania kanë akuzuar Moskën se ka shkelur protokollet diplomatike duke publikuar korrespondenca konfidenciale të lidhura me përpjekjet për të zgjidhur konfliktin në lindje të Ukrainës.

“Ne mendojmë se kjo qasje është në kundërshtim me rregullat dhe zakonet diplomatike”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Francës, Anne-Claire Legendre.

Edhe Ministria e Jashtme gjermane më 18 nëntor lëshoi një deklaratë të ngjashme.

Moska ka publikuar korrespondencat e të ashtuquajturit grup të Formatit të Normandisë – që përfshin Ukrainën, Rusinë, Francën dhe Gjermaninë – një ditë më parë, në atë që Ministria e Jashtme ruse e quajti përpjekje për të treguar se pozicionet e Moskës ishin keqinterpretuar.

Pasi Parisi akuzoi Moskën se ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e nivelit ministror të Formatit të Normadisë dhe ka mohuar se grupi ka dështuar që t’u përgjigjet propozimeve të Moskës lidhur me konfliktin në Ukrainë, Moska publikoi 28 faqe të korrespondencës konfidenciale që pretendoi se shfaqnin ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të ketë thënë paraprakisht se ai nuk do të mund të merrte pjesë në takimin e propozuar për datën 11 nëntor.

Pasi Moska publikoi dokumentet, Kievi e akuzoi Rusinë se po tenton që ta minojë procesin e Normandisë.

Një tjetër publikim i dokumenteve ishte i një letre të 4 nëntorit ndërmjet ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës që përjashtonin karakterizimin e Moskës për luftën midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe Kievi, që cilësohej si “konflikt i brendshëm i Ukrainës”.

Legendre tha se publikimet e dokumenteve tregonin se Moska po përpiqej të pengonte procesin duke insistuar në parakushte të shumta që palët e tjera nuk mund t’i pranonin.

Ajo i bëri thirrje Rusisë që t’u kthehej bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, tha se në Moskë kur ishte diskutuar për një takim të mundshëm të nivelit të ministrave, Franca dhe Gjermania bënin “deklarata arrogante, shumë të papërshtatshme dhe jo aq etike”.

Të pakën 13,200 persona janë vrarë në luftimet në lindje të Ukrainës, në konfliktin ndërmjet forcave qeveritare dhe formacioneve separatiste, të cilat Moska i ka ndihmuar në aspektin ushtarak, ekonomik dhe politik.

Rusia mohon çdo përfshirje në konflikt, që nisi në pranverën e vitit 2014, pak kohë pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë.

XS
SM
MD
LG