Ndërlidhjet

Scholz: BE-ja po shqyrton sanksione të reja ndaj Iranit


Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një adresimi para Parlamentit gjerman. 20 tetor 2022.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një adresimi para Parlamentit gjerman. 20 tetor 2022.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Bashkimi Evropian po shqyrton sanksione të mëtejme kundër Iranit për shkak të shtypjes “së tepruar” të protestave.

“Jam i shokuar nga fakti se njerëzit që po protestojnë në mënyrë paqësore po vdesin në Iran”, shkroi Scholz në Twitter.

“Ne dënojmë dhunën e tepruar nga forcat e sigurisë dhe qëndrojmë me popullin e Iranit. Sanksionet e BE-së janë të rëndësishme. Ne jemi duke rishikuar hapa të mëtejmë”, shtoi ai.

Republika Islamike po përballet me protesta që nga vdekja e Mahsa Aminit, e cila vdiq sa ishte në mbajtje policore. Ajo ishte arrestuar në Teheran nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Në përgjigje, BE-ja më 17 tetor vendosi sanksione ndaj policisë së moralit të Iranit dhe 11 zyrtarëve, përfshirë edhe ndaj ministrit të Telekomunikacionit.

Javën e kaluar, Berlini dënoi Teheranin pasi ky i fundit vendosi sanksione ndaj një media me seli në Evropë. Republika Islamike tha se do të ashpërsojë rregullat e hyrjes në Iran, duke shkuar përtej sanksioneve të BE-së.

Më 30 tetor, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Berlini dhe BE-ja po diskutojnë nëse do ta fusin Gardën Revolucionare të Iranit në listën e “organizatave terroriste”.

Më 31 tetor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, hodhi poshtë këtë ide.

“Garda Revolucionare është trup zyrtar ushtarak i Republikës Islamike dhe këto veprime janë krejtësisht ilegale”, tha Kanani.

“Vendimi i Gjermanisë për të sanksionuar Gardën, nëse e merr këtë vendim, do të ishte vazhdim i veprimeve të papërgjegjshme dhe jokonstruktive” të Berlinit, tha Kanani.

Garda Revolucionare e Iranit veçse është pjesë e listës së SHBA-së për entitete të huaja “terroriste”.

Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali, tha se që blloku të fusë dikë në listën e “organizatave terroriste” një shtet anëtar duhet të vendosë që ta përdorë i pari këtë kriter dhe më pas të ketë vendim unanim nga të gjitha shtetet e bllokut evropian.

Deklaratat e zyrtarëve gjermanë vijnë në kohën kur protestat në Iran po vazhdojnë pavarësisht urdhrit të Gardës Revolucionare që demonstratat të ndalen.

Amini, 22 vjeçe, vdiq më 16 shtator në kohën kur ishte në mbajtje. Vdekja e saj nxiti protesta të mëdha, teksa shteti u përgjigj “me shtypje të ashpër” të demonstratave, sipas organizatës Amnesty International.

Ndërkaq, organizata Iran Human Rights tha javën e kaluar se të paktën 160 protestues, përfshirë dhjetëra fëmijë, janë vrarë qëkur kanë nisur protestat.

XS
SM
MD
LG