Ndërlidhjet

Gjermania paralajmëron për raste të reja spiunazhi nga Rusia

Zyrtarë policorë në Gjermani. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Zyrtarë policorë në Gjermani. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka cilësuar si sukses arrestimin e një shtetasi ukrainas në lindje të Gjermanisë, nën dyshimet për spiunazh në emër të Rusisë, teksa ka paralajmëruar për përpjekje të tjera spiunazhi.

“Me gjasë do të shohim raste të tilla më shpesh në muajt dhe vitet e ardhshme”, tha Merz më 22 tetor.

Gjermania po përballet me veprimtari intensive spiunazhi, paralajmëroi kancelari gjerman.

“Në këtë aspekt, është sukses që sot arritëm ta zbulojmë këtë rast. Por, nuk duhet të mashtrohemi: veprimtaritë e inteligjencës ruse në Gjermani vazhdojnë të jenë në nivel të lartë”.

I dyshuari u arrestua në landin e Brandenburgut, i cili rrethon Berlinin. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale, ai dyshohet se ka shfrytëzuar kontaktet në industrinë evropiane të mbrojtjes për të siguruar informacione të rëndësishme ushtarake.

Arrestimi vjen në një kohë kur Gjermania, që është furnizuese e madhe e Ukrainës me ndihmë ushtarake, është në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të shtimit të aktiviteteve të sabotimit dhe spiunazhit që i atribuohen Rusisë.

Ukrainasi, i arrestuar të enjten në qarkun Oder-Spre, dyshohet se ka qenë në kontakt me një shërbim rus të inteligjencës, përmes një ndërmjetësi, që të paktën nga korriku i vitit 2025.

Ai dyshohet se ka mbledhur informacione, ndër të tjera, për prodhimin e tankeve, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe për personelin dhe instalimet ushtarake në lokacione të dizajnuara për të siguruar krahun lindor të NATO-s.

Disa nga informacionet ishin të qasshme publikisht, thanë prokurorët në një deklaratë. Në raste të tjera, i dyshuari kishte shënjestruar posaçërisht “persona në industrinë evropiane të mbrojtjes” për të siguruar informacionet që kërkonte, shtuan prokurorët gjermanë.

Të premten, i dyshuari pritet të dalë para një gjykatësi, i cili do të vendosë nëse do të mbahet në paraburgim.

Shtimi i aktiviteteve të spiunazhit rus

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, janë arrestuar vazhdimisht persona të dyshuar për spiunazh në favor të Moskës, përfshirë disa edhe këtë vit.

Në janar, prokurorët urdhëruan arrestimin e një gruaje me shtetësi gjermane dhe ukrainase, që dyshohet se i kishte përcjellë informacione një spiuni brenda Ambasadës ruse. Ndaj saj, më vonë janë ngritur edhe akuza formale.

Kryeprokurori i Gjermanisë, Jens Rommel, ka theksuar se shtimi i aktiviteteve të spiunazhit që i atribuohen Rusisë nuk ka për synim vetëm mbledhjen e informacioneve, por edhe përgatitjen e akteve të sabotimit ose sulmeve të shënjestruara.

Në shumë raste, qëllimi përfundimtar duket të jetë minimi i mbështetjes së Gjermanisë për Ukrainën, tha Rommel gjatë muajit qershor.

​
XS
SM
MD
LG