Ndërlidhjet

Gjermania shënon rënie të rasteve me koronavirus


Pamje nga një dyqan ushqimor në Gjermani.
Pamje nga një dyqan ushqimor në Gjermani.

Mesatarja shtatëditore e rasteve me koronavirus në Gjermani ra të enjten në 155 për 100,000 banorë - çfarë është niveli më i ulët në dy javë.

Hera e fundit kur kjo mesatare ka qenë nën 160, përkatësisht 153, ka qenë më 14 prill.

Gjermania është duke luftuar për të frenuar valën e tretë të koronavirusit.

Disa pjesë të këtij vendi janë futur nën izolim më të rreptë nga fundjava e kaluar.

Kjo, pasi kancelarja Angela Merkel ka hartuar një legjislacion që i jep Qeverisë federale më shumë kompetenca, pasi disa nga 16 landet gjermane kanë refuzuar të miratojnë masa më të ashpra kundër koronavirusit.

Legjislacioni i ri parasheh orën policore gjatë natës në qarqet ku rastet me koronavirus kalojnë shifrën 100 për 100,000 banorë, për tri ditë me radhë.

Rregullat e reja përfshijnë limite më të rrepta edhe për tubimet private.

Shkollat duhet të mbyllen dhe mësimi të kalojë online nëse rastet me koronavirus kalojnë shifrën 165 për 100,000 banorë për tri ditë me radhë.

Në 24 orët e fundit, autoritetet gjermane thanë se kanë regjistruar 24,736 raste të reja me koronavirus - gati 5,000 më pak se një javë më parë - dhe 264 viktima.

Gjermania ka konfirmuar gjithsej mbi 3.3 milionë raste me koronavirus dhe 82,544 viktima.

XS
SM
MD
LG