Ndërlidhjet

GJND-ja do të vendosë këtë javë për rastin kundër Izraelit për gjenocid


Përfaqësuesi ligjor i Izraelit gjatë seancës para GJND-së. Fotografi nga arkivi.
Përfaqësuesi ligjor i Izraelit gjatë seancës para GJND-së. Fotografi nga arkivi.

Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara do të vendosë të premten lidhur me kërkesën e Afrikës së Jugut për shqiptimin e masave të përkohshme në rastin kundër Izraelit për gjenocid, përfshirë edhe kërkesën që Izraeli të ndalë ofensivën e tij në Gazë.

Më 11 dhe 12 janar, GJND-ja ka mbajtur seanca dëgjimore pasi Afrika e Jugut dërgoi rastin për gjenocid kundër Izraelit, për luftën në Rripin e Gazës. Afrika e Jugut ka këmbëngulur se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë, por Izraeli ka hedhur poshtë këto akuza, duke shtuar se ofensiva e tij në Gazë është vetëmbrojtje legjitime dhe jo gjenocid.

Afrika e Jugut ka paraqitur një sërë masash të përkohshme, që kërkon që gjykata të miratojë, para së gjithash, ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Izraeli ka nisur një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gazë, pasi Hamasi kreu sulme më 7 tetor në jug të Izraelit duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë.

Izraeli shpesh bojkoton tribunalet ndërkombëtare dhe hetimet e OKB-së, duke thënë se janë të padrejta dhe të njëanshme. Por, liderët e shtetit dërguan ekipe ligjore gjatë seancës dyditore dëgjimore, që u mbajt më herët gjatë këtij muaji.

Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka gjasa që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të vendosë masa të përkohshme në rastin kundër Izraelit.

Ellis thotë se vendimet e GJND-së janë përfundimtare, por ka pasur raste që shtetet nuk i kanë respektuar ato.

“Ligjërisht, çdo palë, çdo shtet që është palë para GJND-së është i obliguar t’iu përmbahet dhe të zbatojë vendimet e gjykatës. Por, ne e dimë se politikisht kjo nuk ndodh gjithmonë, por ligjërisht ata janë të detyruar ta bëjnë këtë”, thotë Ellis.

Nëse gjykata miraton disa apo të tetë kërkesat e Afrikës së Jugut për të ashtuquajturat masa të përkohshme, është ende e paqartë nëse Izraeli do t’i respektojë ato.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG