Ndërlidhjet

Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm për akuzat e reja


Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes pranë Dhomave të Specializuara në Hagë më 10 maj 2022.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes pranë Dhomave të Specializuara në Hagë më 10 maj 2022.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Në seanca të ndara pranë Dhomave të Specializuara, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, por edhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja, që i janë shtuar më 29 prill aktakuzës fillestare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të redaktuara, por tha se deklarohet i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, vetëm dy kategoritë e para përmbajnë akuza të reja.

Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.

“Kategoria e parë përbëhej nga dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”, tha ai.

“Kategoria e dytë kishte të bënte me dy incidente të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme të kryera në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit dhe modifikimin e kohës kur ka ndodhur kjo".

Po ashtu, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë në akuzën e re, dyshimin për përfshirje të drejtpërdrejt në krime të Thaçit.

“Dhe kategoria e tretë përbëhej nga dy incidente për pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera”, tha Guillou.

Kadri Veseli gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara më 10 maj 2022.
Kadri Veseli gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara më 10 maj 2022.

Ndërkaq, në një seancë të ndarë, Veseli po ashtu u deklarua i pafajshëm, duke kërkuar që të nisë sa më shpejt gjykimi.

"I kam lexuar [akuzat e reja], vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë time" para qytetarëve dhe gjykatës, tha Veseli.

Po ashtu, Jakup Krasniqi, i cili ishte fizikisht i pranishëm në sallën e gjykatës, tha se deklarohet i pafajshëm dhe tha se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

"Zoti gjykatës, e kam lexuar aktakuzën dhe shtesën e fundit dhe mund të them me bindje të plotë se e kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj, deklarohem krejtësisht i pafajshëm dhe kërkojmë që gjyqi të përshpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim në Hagë", tha Krasniqi.

Jakup Krasniqi gjatë seancës pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. 10 maj 2022.
Jakup Krasniqi gjatë seancës pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. 10 maj 2022.

Ai po ashtu tha se nuk do ta kishte besuar, po të mos ishte ky rast në gjykatë, që gjykatës, siç tha ai, të shkolluar në shtete liberale e me traditë në drejtësi të "guxojnë të ngrenë një akuzë që mbështeten vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë".

Gjatë 10 majit, para Dhomave të Specializuara, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, i pyetur për akuzat e ngritura tha se: "Unë jam i bindur se asnjë lloj përgjegjësie nuk e kam për këtë që dëgjuam".

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Akuzat e reja

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

“Të ndaluarit, të cilët janë mbajtur në periudha të ndryshme kohore, u mbajtën në dhoma të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosura. Menjëherë pas ndalimit në Budakovë, të paktën një i ndaluar u transferua në Semetishtë ku po ashtu u ndalua ndërmjet datave 19-20 gusht të vitit 1998. Disa anëtarë të UÇK-së ishin të përfshirë në këto ndalime, përfshirë anëtarë të Brigadës 123, brenda Zonës Operacionale të Pashtrikut”, thuhet në aktakuzën e ndryshuar.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG