Ndërlidhjet

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor 2020.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor 2020.

Deklarim pafajësie, akuza për ndërhyrje e përgjime: Çka ndodhi në nisje të gjykimit për pengim të drejtësisë

  • Në Gjykatën Speciale janë mbajtur deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
  • Të pesë të akuzuarit në rastin për pengim të drejtësisë gjatë seancës u deklaruan të pafajshëm. Prokurori publikoi disa përgjime, për të mbështetur pretendimet e saj se Thaçi ka bërë përpjekje për të ndikuar mbi dëshmitarë.
  • Aktakuza pretendon se për disa muaj gjatë vitit 2023 ata kanë ndikuar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit, dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria ftoi dëshmitarin e parë, të mbrojtur, i cili do të vazhdojë dëshminë javën e ardhshme.
10:48 27.2.2026

Nis seanca

Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë.

10:18 27.2.2026

Shtyhet nisja e seancës

Seanca që ishte paraparë të niste në orën 09:30 - dhe që transmetohet me 45 minuta vonesë - është shtyrë për në orën 10:00, sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës.

10:14 27.2.2026

Mbrojtja e Thaçit dhe Fazliut, pa deklarata hyrëse

Teksa jemi në pritje të nisjes së seancës në Hagë, përmes parashtrimeve të bëra ditë më parë, mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Fazliut kanë njoftuar se nuk do të bëjë deklarata hyrëse, por do ta rezervojë të drejtën që të deklarohet më vonë gjatë procesit gjyqësor.

09:47 27.2.2026

Kur u liruan me kusht të akuzuarit e tjerë?

Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 dhe një ditë më pas u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Në maj të vitit pasues, Gjykata vlerësoi se zgjatja e paraburgimit ishte e paarsyeshme dhe ai u lirua në Kosovë nën kushte të rrepta. Por, pas konfirmimit të aktakuzës në dhjetor të vitit 2024 ai u dërgua sërish në paraburgim në Hagë më 6 dhjetor. Një vit më vonë, më 10 dhjetor 2025 ai u lirua sërish me kusht.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Fadil Fazliu, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj dhe Kilajn, u arrestuan më 5 dhjetor dhe u dërguan më 6 dhjetor 2024 në paraburgim në Hagë. Ai, së bashku me Smakajn u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.

Ndërkaq, Hajredin Kuçi, që gjatë periudhës së aktakuzës ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitej dhe gjatë kësaj kohe ai është mbrojtur në liri.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG