Prokuroria publikon pjesë të audio-incizimeve të takimit të Thaçit me Kilajn dhe Kryeziun
Prokuroria publikoi një audio-incizim që pretendoi se është nga takimi i 6 tetorit në qendrën e paraburgimit në Hagë mes Thaçit, Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut.
ZPS tha se Thaçi aty jep udhëzime për Kilajn dhe Kryeziun e si dëshmitari 4 – dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së – të ndryshonte pjesë të dëshmisë.
“Faqja 7, pjesa 6, rreshti 9”, dëgjohet Thaçi duke thënë, pohoi Prokuroria, duke shtuar se këto pjesë duhej që ky dëshmitar t’i “korrigjonte” para se të dilte në gjykatore, përkatësisht gjatë seancës përgatitore me ZPS-në.
ZPS: Kemi nëntë audio-incizime të Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë
Prokurori Joshua Hafetz tha se ka dëshmi të shumta kundër Thaçit dhe të akuzuarve, përfshirë nëntë audio-incizime në qendrën e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, urdhra të gjykatës që pretendohet se janë shkelur dhe ekspertizë që dëshmojnë se dokumentet që u gjetën në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë.
Gjatë seancës u shfaq edhe një audio-incizim i Thaçit dhe Fazliut në takimin e tyre më 2 korrik 2023 në Hagë.
Prokuroria tha se ata po flisnin për dëshminë e komandant Remit.
“Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo”, dëgjohet Thaçi në këtë audio-incizim.
Më vonë, ai thotë se të dëshmojë shkurt e jo 12 orë siç ishte planifikuar. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, tha Thaçi, sipas audio-incizimit të ZPS-së.
ZPS po ashtu shfaqi mesazhe të Mustafës dhe Fazliut, që këmbyen me t'u kthyer Fazliu në Kosovë, ku edhe ishin takuar.
ZPS: Thaçi dhe Kuçi biseduan për tre dëshmitarë
Më 3 shtator 2023, në Hagë Thaçi dhe Kuçi diskutuan për tre dëshmitarë, pretendoi Prokuroria. Dy nga ta ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Zyrapin dhe i treti ishte një person që do të dëshmonte për keqtrajtimin e pretenduar nga UÇK, tha ZPS.
Thaçi, tha ZPS, udhëzoi se si duhej të dëshmonin.
ZPS tha se ka prova që mbështesin të gjitha pikat e aktakuzës.
“Nuk janë vetëm këto pesë vizita. Ai përdori edhe vizita të tjera për të nxjerrë informacione konfidenciale dhe për të ndërhyrë në dëshmitarë. Motivi: që dëshmitarët të ndryshonin dëshmitë ose të dëshmonin në një mënyrë që ta ndihmonin çështjen e Thaçit”, tha ZPS.
Prokuroria: Thaçi dhe Smakaj biseduam për dëshminë e Zyrapit
Gjatë dy vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë, Smakaj, tha Prokuroria, mori udhëzime nga Thaçi se si të ndikohej në dëshmitarë.
Një nga ta u tha se ishte Bislim Zyrapi. Prokurori tha se Thaçi dha detaje se si ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Zyrapi – dëshmitar i Prokurorisë – të dëshmonte.
“[Thaçi] Dha udhëzime si të jepte dëshmi, se duhej të ishte konciz, të mos i jepte shumë gojës”, tha ai, duke shtuar se Thaçi kishte dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e mbrojtur dhe duke pretenduar se ishte “tallur me dy prej tyre, dhe një nga ta ishte me aftësi të kufizuara”.