Është shtyrë për 15 shtator seanca gjyqësore ndaj katër prej gjashtë të akuzuarve për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës më 2022, pasi në senacën fillestare të caktuar për këtë të hënë mungoi i akuzuari Nenad Orlloviq.
Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, tha se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orlloviq, për të cilin gjykata ka përsëritur urdhërarrestin.
Ai bëri të ditur se, sipas raportit të Policisë të datës 27 gusht 2026, zyrtarët policorë kanë shkuar për të ekzekutuar urdhërarrestin, por Orlloviq nuk është gjetur në vendbanim.
Fqinjët e tij kanë deklaruar se ai jeton në Serbi.
Ndërkaq, u veçua procedura për të akuzuarit Millosh Radosavleviq dhe Dushan Drobaq, pasi kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë, raporton Betimi për Drejtësi.
Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq, Nemanja Jolloviq, Dushan Drobaq, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orlloviq ngarkohen me veprën penale kundër rendit kushtetues për vendosje të barrikadave në veri të Kosovës më 2022.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit më 26 qershor 2026.
Ata dyshohen se më 10 dhjetor 2022 kishin vendosur barrikada në rrugët e komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Barrikadat ishin larguar më 29 dhjetor të po atij viti.
Të gjashtë të akuzuarit, tha Prokuroria, dyshohet se kishin bllokuar rrugët kryesore me mjete të forta, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
Çfarë kishte ndodhur dhjetorin e vitit 2022 në veri?
Më 6 dhjetor të vitit 2022, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëri kishte shpërthyer.
Zyrtarët zgjedhorë në atë kohë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve serbë në katër komunat në veri, që vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Si pasojë e tensioneve, votimet u shtynë për prillin e vitit pasues.
Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, autoritetet kishin arrestuar ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, e cila e lidh Kosovën me Serbinë.
Arrestimi i tij rriti edhe më shumë tensionet me serbët lokalë që më pas ngritën barrikada.
Në atë kohë, Serbia kishte vendosur në gatishmëri ushtrinë dhe kishte rritur praninë ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë.