Ndërlidhjet

Gratë protestojnë në Kabul duke kërkuar të drejtën për arsimim dhe punë


Një prej protestave të grave në Kabul. Fotografi nga arkivi.
Një prej protestave të grave në Kabul. Fotografi nga arkivi.

Disa dhjetëra gra protestuan më 16 dhjetor në rrugët e kryeqytetit afgan, Kabul, duke kërkuar nga talibanët të drejtën për arsimim, punë dhe përfaqësim politik.

Duke marshuar në mot shumë të ftohtë, protestueset kërkuan “ushqim, punë dhe liri”, por edhe funksione politike.

Disa prej tyre bartnin pllakate me thirrje ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të rinovojë ndihmën për Afganistanin, vend i cili ndodhet në prag të katastrofës humanitare nga mungesa e ushqimit, me varfërinë në rritje dhe ekonomi në kolaps.

Në raporte të ndryshme përmendet që talibanët nuk e penguan protestën ndonëse ndaluan grumbullimin e njerëzve pasi pushtuan shtetin në muajin gusht.

Por, gratë në Afganistan edhe më herët kanë protestuar pothuajse çdo ditë duke kërkuar të drejtat e tyre, përfaqësim në qeveri dhe role në shtetin thellësisht religjioz. Talibanët rëndom shtypën dhunshëm pothuajse secilën protestë dhe grumbullimet e këtilla në rrugë me kalimin e kohës u ndalën.

Grupi radikal islamik premtoi sundim më të butë pasi rrëzoi qeverinë e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, krahasuar me sundimin që pati gjatë viteve ’90.

Megjithatë, një numër i madh grash në Afganistan nuk lejohen të punojnë e shumë vajza nuk kanë të drejtë të arsimohen.

XS
SM
MD
LG