Ndërlidhjet

Greqia thotë se ka rënë ndjeshëm numri i migrantëve


Migrantët nga Afganistani duke arritur në Lesbos të Greqisë. Fotografi nga arkivi.

Ministri grek i Migracionit tha se numri i migratëve që kanë arritur në Greqi ka rënë në mënyrë dramatike gjatë dy vjetëve të fundit, teksa numri i azilkërkuesve që jetojnë në këtë shtet po ashtu ka rënë.

Duke folur gjatë një ngjarjeje të organizuar për trevjetorin e themelimit të fondacionit për migrim dhe azil, ministri grek Notis Mitarachi, tha se politikat e Qeverisë së qendrës së djathtë kanë ndikuar që numri i migrantëve të bie. Ai ndër të tjera përmendi rritjen e sigurisë kufitare, procedurat e shpejta të azilit dhe forcimin e ligjeve të migracionit.

Më 2021, Greqi regjistroi numrin më të ulët të migrantëve në dekadë, tha Mitarachi, duke shtuar se në këtë shtet kishin arritur 9.000 persona. Më 2015, ishte piku i krizës së migrantëve, pasi qindra mijëra persona arritën në Greqi. Më pas, migrantët vazhduan rrugën përmes shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt shteteve të pasura evropiane.

“Pas shpërthimit në periudhën 2015-2019, më 2021 ne regjistruam numrin më të ulët të migrantëve në dekadë, përkatësisht 8.745, dhe më 2022 numri ishte i vogël po ashtu”, tha Mitrachi. “Si rezultat i kësaj, në vend se në 121 ndërtesat që kemi për azilkërkues të strehoheshin 92.000 persona, sot kemi 14.000 azilkërkues të vendosur në 33 ndërtesa”.

Sipas Mitrachit, më 2015, numri i migrantëve në Greqi përbënte 75 për qind të totalit të ardhjeve të parregullta në Bashkimin Evropian, ndërkaq kjo shifër më 2022, sipas tij, është 5 për qind. Ai shtoi se Greqia po ndryshon ligjet për të tërhequr punëtorë përmes migrimit legal.

“Problemi me migrimin nuk përfundon dhe në të njëjtën kohë është sfidë dhe nevojë. Shteti ynë po zbaton një politikë strikte, por të drejtë të migracionit”, tha ai.

Greqia gjerësisht është akuzuar nga migrantët dhe grupet e të drejtave të njeriut se ka dëbuar migrantët sapo kanë arritur në tokën greke, pa u dhënë të drejtën që të aplikojnë për azil. Grupet e të drejtave të njeriut kanë argumentuar se kjo praktikë është e paligjshme.

XS
SM
MD
LG