Ndërlidhjet

Greqia ashpërson ligjet për azilkërkuesit


Migrantët duke ecur përmes një fushe në Idomeni, në afërsi të kufirit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.
Migrantët duke ecur përmes një fushe në Idomeni, në afërsi të kufirit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Greqia ka përgatitur një projektligj që do të përfshijë dënime më të ashpra për azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar kërkesa dhe do të përshpejtojë kthimin në shtetet e tyre të origjinës, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, më 28 maj.

Greqia ishte në epiqendër të krizës me migrantë më 2015-2016, kur më shumë se 1 milion persona u larguan nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe shkuan në Evropë.

Rritja e numrit të azilkërkuesve nxiti thirrjet që shtetet në kufirin jugor të Evropës, sikurse Greqia dhe Italia, të forcojnë kufijtë e tyre.

Që atëherë, numri i azilkërkuesve ka rënë, por migracioni metët një çështje e ndjeshme politike në Greqi dhe Mitsotakis është zotuar se do të ashpërsojë qëndrimin e tij.

“Dënimet do të jenë më të rënda për ata që hyjnë në shtet në mënyrë të paligjshme ose qëndrojnë në vendin tonë nëse kërkesa e tyre për azil është refuzuar”, tha Mitsotakis gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mërkurën, ku u diskutua për projektligjin e ri për migracionin e paligjshëm.

Mitsotakis tha se projektligji do të synojë gjithashtu përshpejtimin e kthimeve përmes një “mekanizmi më efektiv dhe të drejtë”. Rregulloret do të duhet të miratohen nga Parlamenti përpara se të hyjnë në fuqi.

Fluksi e migrantëve drejt Greqisë ra për 30 për qind në katër muajt e parë të këtij viti krahasuar me një vit më parë, pasi më pak njerëz hynë përgjatë kufirit lindor me Turqinë.

Megjithatë, mbërritjet nga deti nga Libia në ishujt e largët të Kretës dhe Gavdosit janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, përgjatë një rruge të re trafikimi në Detin Mesdhe. Mijëra azilkërkues, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, ndodhen të bllokuar në Greqi.

Për të përshpejtuar proceset e azilit dhe për të ulur presionin mbi sistemet e azilit, Komisioni Evropian propozoi javën e kaluar ndryshimin e legjislacionit evropian për t’u lejuar shteteve anëtare të dëbojnë azilkërkuesit e refuzuar nëse ata mund të dërgohen në një vend të tretë që konsiderohet i sigurt nga blloku evropian.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG