Ndërlidhjet

Greta Thunberg arrestohet gjatë një proteste në Gjermani


Greta Thunberg duke u arrestuar nga policët gjermanë.
Greta Thunberg duke u arrestuar nga policët gjermanë.

Aktivistja për klimën, Greta Thunberg, ishte në mesin e aktivistëve të tjerë të arrestuar gjatë një proteste kundër shkatërrimit të fshatit të qymyrit, Lytzerat, tha policia më 17 janar.

Një zëdhënës i policisë tha se nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me Thunbergun, e cila iu bashkua protestuesve javën e kaluar për të kundërshtuar zgjerimin e minierës, që është në pronësi të gjigantit të energjisë, RWE.

Policia, duke përdorur buldozerë largoi aktivistët nga ndërtesat që gjenden në këtë fshat - në të cilin kanë mbetur vetëm disa pemë dhe një tunel nëntokësor - fundjavën e kaluar, por protestuesit, përfshirë Thunberg, qëndruan duke vazhduar protestën.

Video: Arrestimi i aktivistes Greta Thunberg

Greta Thunberg arrestohet në Gjermani
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Aktivistja Thunberg u arrestua teksa po protestonte pranë minierës së qymyrit Gazveiler 2, që gjendet rreth 9 kilometra nga Lytzerat. Ajo ishte ulur së bashku me një grup protestuesish pranë skajit të minierës.

Fshati është në pronësi të kompanisë së energjisë RWE pasi banorët e braktisën atë. Ai pritet të jetë fshati i fundit që do të shkatërrohet për shkak të zgjerimit të minierës.

Thunberg iu bashkua protestuesve të premten. Reuters raportoi se dëshmitarët kanë thënë se e kanë parë atë në një autobus të madh të policisë, pas arrestimit.

Policia kishte paralajmëruar aktivistët se do të përdorte forcën nëse ata nuk do të bashkëpunonin që të identifikoheshin.

“Greta Thunberg ishte pjesë e një grupi aktivistësh që u nis drejt skajit të minierës. Megjithatë, ajo u ndalua dhe u dërgua nga ne, së bashku me këtë grup, në një zonë ku nuk ka rrezik, dhe më pas ky grup u identifikua”, tha policia gjermane për Reuters, duke shtuar se një aktivist u hodh në minierë.

Thuberg u mor nga tre policë që e larguan nga skaji i minierës, ku paraprakisht kishte qëndruar e ulur së bashku me grupin e aktivistëve.

Të shtunën, më 14 janar, aktivistja nga Suedia iu adresua protestuesve që marshuan drejt Lytzeratit. Ajo tha se zgjerimi i minierës është “tradhti e gjeneratës së tanishme dhe të ardhshme”.

“Gjermania është një prej ndotëseve më të mëdha në botë dhe duhet të mbahet përgjegjëse”, tha ajo.

Organizatorët thanë se në protestë të shtunën morën pjesë 35.000 persona, por Policia tha se afër 15.000 persona morën pjesë në të.

Aktivistët kanë thënë se djegia e qymyrit minon përpjekjet e Gjermanisë për të reduktuar emetimet e gazrave serrë. Gjermania ka premtuar se do të ndalojë së prodhuari energji përmes qymyrit deri në vitin 2030.

Linjiti është forma më e ndotur e qymyrit dhe në zonën e Lytzerahit nxirren 25 milionë tonë linjit çdo vit.

XS
SM
MD
LG