Ndërlidhjet

Vaksinat kundër gripit sezonal, vetëm me para


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Vaksina kundër gripit sezonal ende nuk ka arritur në institucionet publike shëndetësore, por ato kanë arritur në barnatore në Prishtinë, ku shiten nga 13 deri në 17.5 euro.

Interesimi i qytetarëve për t'u vaksinuar është i madh.

Qytetari Agim Rexha, 65-vjeçar tha se vaksinën e ka blerë 17.5 euro në barnatoren afër Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se ka vendosur ta blejë dhe të vaksinohet, meqë mendon se do t'i ndihmojë edhe për gripin sezonal, por edhe kundër koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

"Pasi jemi në kohë pandemie dhe situata është si është, numri i të infektuarve po rritet çdo ditë, si me COVID-19, por edhe me virus sezonal, ne sapo kemi dëgjuar që ka në treg vaksina kundër gripit sezonal, së bashku me bashkëshorten shkuam dhe i blemë ato. Më pas u vaksinuam në shtëpinë e shëndetit. Po e ndjejmë veten më të sigurt, si nga virusi sezonal edhe nga koronavirusi", tha ai.

Shkumbin Isufi, farmacist, në anën tjetër tha se është vetëm një operator në Kosovë që e ka licencën për t'i blerë vaksinat, por që sasia që e ka marrë për t'i shpërndarë më pas nëpër farmaci, po del të jetë e pamjaftueshme.

"Çmimi i vaksinës në treg është rreth 14 euro, dallon më pas nga barnatorja në barnatore. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh, por sasia në treg është shumë e vogël. Nuk kam informata sa sasi ka, por në bazë të kërkesave po shihet që ka pak. Operatori ka porositur shumë, por i ka ardhur numër shumë i limituar (i vaksinave kundër grupit sezonal). Te ne në Kosovë gjithçka vjen më vonë dhe më pak. Për vaksinim më pas nuk është problem, atë mundet kushdo ta bëjë, pra infermierët, ne në barnatore nuk i vaksinojmë”, tha Isufi.

Sidoqoftë, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksina kundër gripit sezonal. Në muajin shtator është thënë se janë siguruar 160 mijë e 500 doza të vaksinës kundër gripit, që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe ato do të arrijnë në Kosovë në muajin nëntor.

Sami Uka, kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në fillim të tetorit i pati thënë Radios Evropa e Lirë se janë bërë gjitha përgatitjet për t’i vaksinuar qytetarët, por që vaksinat, siç pati deklaruar ai, janë vonuar. Ai është shprehur se meqë është periudha e pandemisë me COVID-19, shtyrja e vaksinimit kundër gripit sezonal për grupe të caktuara, është e dëmshme.

Në anën tjetër, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë i bëri thirrje qytetarëve që të jenë “të durueshëm”, sepse, “brenda pak ditësh vaksinat e blera përmes UNICEF-it, do të jenë në Kosovë dhe do të shpërndahen falas për qytetarë, përkatësisht për grupet më të rrezikuara".

Ai po ashtu shtoi se blerja dhe shitja e vaksinave në barnatore nuk ndalohet me ligj.

"Tregu privat është i ndarë dhe operatorët privatë kanë të drejtë që t'i sigurojnë vaksina dhe t'i shesin ato”, tha ai.

Këtë vit është paraparë të vaksinohen rreth 500 mijë njerëz kundër gripit sezonal. Rreth 160,500 dozat e para është thënë se do të arrijnë në mesin e muajit nëntor.

"Ky është njoftimi i fundit që ne si ministri e kemi marrë nga zyra e UNICEF-it, prej nga edhe do t’i blejmë vaksinat’’, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Infektologët në Kosovë më herët kanë thënë se është e nevojshme që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal sa më shpejtë që të jetë e mundur. Sipas infektologu Sali Ahmeti, infektimi me gripin sezonal e ulë imunitetin e popullatës, andaj janë më të rrezikuar që të sëmuren me COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG