Ndërlidhjet

Grupi paramilitar i Kadyrovit “përforcon” trupat ruse në Ukrainë


Pjesëtarët e grupit paramilitar të Ramzan Kadyrovit.
Pjesëtarët e grupit paramilitar të Ramzan Kadyrovit.

Më shumë se 1.300 trupa paramilitare, besnike të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, kanë arritur në rajonin ukrainas të Hersonit, si përforcim për ushtrinë ruse.

“Për të rritur forcën ruse në territoret e pushtuara përkohësisht në rajonin Herson, ka arritur njësiti i ashtuquajtur ‘Kadyrovtsy’, me më shumë se 1.300 anëtarë”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, më 10 shtator.

Ekzistojnë të dhëna se trupat ukrainase kanë bërë përparime të konsiderueshme në rajonin e Hersonit, i cili është pushtuar nga forcat ruse, pak pas nisjes së luftës në fund të shkurtit.

Forca paramilitare e Kadyrovit është formuar në rajonin e Çeçenisë dhe shërben si ushtri e atij rajoni.

Këto forca janë akuzuar disa herë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Ukraina ka përmendur tash e sa javë një kundërofensivë në zonat rreth Hersonit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë gjatë një vizite në Pragë më 9 shtator se “ne shohim sukses në Herson”.

Austin ka përmendur edhe avancimet e forcave ukrainase në zonat rreth qytetit të dytë më të madh ukrainas, Harkiv.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 9 shtator se ushtria e tij ka shënuar fitore të konsiderueshme dhe se 30 vendbanime janë çliruar rreth rajonit të Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës më herët gjatë kësaj jave.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG