Ndërlidhjet

Rritet çmimi i grurit pas sulmeve me raketa në Odesa


Korrjet e grurit në Harkiv më 18 korrik 2022.
Korrjet e grurit në Harkiv më 18 korrik 2022.

Çmimet e grurit u rritën ndjeshëm më 25 korrik pasi raketat ruse goditën qytetin-port të Odesës gjatë fundjavës, pavarësisht pretendimeve nga Kremlini se këto sulme kishin për cak infrastrukturën ushtarake dhe nuk kanë prekur eksportet e drithërave të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 25 korrik se dy raketa të llojit Kalibr kanë goditur në afërsi të një stacioni pompimi në portin e Odesës dhe është shënjestruar vetëm infrastruktura ushtarake, “që nuk është e lidhur me marrëveshjen e eksportit të drithërave” që u arrit më 22 korrik në Stamboll nga Rusia, Ukraina, Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

“Kjo nuk mund dhe nuk duhet të prekë nisjen e dërgesave”, tha Peskov për gazetarët.

Megjithatë, çmimet e grurit në Bordin e Tregtisë së Çikagos u rritën për pothuajse 4 për qind më 25 korrik, përkatësisht në 7.86 dollarë për shinik.

Ukraina është një prej eksportuesve më të mëdha në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi rus i Ukrainës dhe bllokimi i porteve detare ukrainase, kanë ndërprerë dërgesat e drithërave.

Këto bllokada kanë rritur çmimet botërore të ushqimeve, duke vënë në rrezik të urisë banorët e shteteve të varfra dhe duke rritur shqetësimet për trazira shoqërore.

Marrëveshja parasheh hapjen e tri porteve në Detin e Zi për eksportet e drithërave dhe pritet të jetë në fuqi për 120 ditë. Sipas marrëveshjes, synohet që eksporti i drithërave të arrijë në 5 milionë tonë në muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG