Ndërlidhjet

Haiti kërkon ndihmë të jashtme ushtarake për të menaxhuar krizën me banda


Pamje nga një protestë në Haiti. Fotografi nga arkivi.

Haiti ka kërkuar mbështetje të jashtme ushtarake, për të menaxhuar krizën me bandat e dhunshme që kanë paralizuar shtetin.

Qeveria e Haitit ka autorizuar kryeministrin, Ariel Henry që të kërkojë ndihmë ushtarake për shkak të “rrezikut të ndonjë krize të madhe humanitare”.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar shtetasve të tyre që të largohen nga Haiti për shkak të pasigurisë.

Një grup i bandave të fuqishme kanë bllokuar terminalin kryesor të naftës në këtë shtet, prej muajit shtator.

Kjo gjë ka ndikuar në bllokim të furnizimeve me ujë dhe ushqim.

Ene nuk është e qartë se cilave vende u është dërguar kërkesa për intervenim dhe se çfarë ndihme do të ofrohet.

Kombet e Bashkuara nuk kanë marrë kërkesë zyrtare nga Qeveria e Haitit.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën e sigurisë në Haiti, për ndikimin që ka në popullin e Haitit, dhe në aftësinë tonë për të kryer punë, sidmos në fushën humanitare”, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Qeveria e Haitit ka thënë se tetë persona kanë vdekur të dielën nga kolera, për herë të parë në tre vjet – duke rritur shqetësimet edhe për krizë të mundshme shëndetësore.

Haiti është një prej vendeve më të varfra në botë.

Ky vend së fundi është përballur me një mori krizash, por ndër më të mëdhatë ka qenë ajo e vrasjes së presidentit, Jovenel Moïse, në korrik të vitit 2021.

Ndërkohë Haiti është përballur edhe me një tërmet që ka lënë të vdekur më shumë se 2.200 njerëz.

XS
SM
MD
LG