Ndërlidhjet

Mbi 140 të vdekur në Korenë e Jugut për Halloween


Ekipi i shpëtimit dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes ku mbi 140 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë festivalit Halloween në Seul, Koreja e Jugut. 30 tetor 2022.
Ekipi i shpëtimit dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes ku mbi 140 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë festivalit Halloween në Seul, Koreja e Jugut. 30 tetor 2022.

Ka shkuar në 146 numri i personave që kanë vdekur nga shtypjet gjatë natës së festimit të Halloween-it (Natës së Shtrigave) në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Ndërsa 150 të tjerë raportohet se janë lënduar.

Pamjet nga Seuli shfaqin dhjetëra kufoma të mbuluara, zyrtarë të emergjencës që intervenojnë te të lënduarit dhe njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin për të shpëtuar nga shtypja.

Incidenti vdekjeprurës, i cili raportohet se ka nisur pas orës 22:00 me orën lokale, ndodhi në një zonë të njohur të jetës së natës në festimin e parë të Halloween-it që nga pandemia e koronavirusit.

Raportohet se kishte paralajmërime se rrugët do të ishin të mbushura me njerëz, por ende nuk dihet se si filloi përplasja e turmës.

Një dëshmitar i tha Reuters se një morg i improvizuar ishte ngritur në një ndërtesë afër vendit të ngjarjes. Dhjetëra trupa u transportuan më vonë në barela, tha dëshmitari.

“Zona është ende kaotike. Ende po përpiqemi të kuptojmë numrin e saktë të njerëzve të lënduar”, tha Moon Hyun-joo, zyrtar në Agjencinë Kombëtare të Zjarrfikësve.

Aktori Park Jung-hoon tha se turmat ishin "disa dhjetëra herë më të mëdha" se në Krishtlindje ose gjatë shfaqjeve të fishekzjarreve.

Mes atyre që janë transferuar në spitale ka edhe shtetas të huaj. Autoritetet po hetojnë shkaqet e ngjarjes.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka mbajtur një takim urgjent pas kësaj tragjedie.

Reagimet ndërkombëtare

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në Twitter se ndihet i pikëlluar për atë që ndodhi në Seul.

“Ngushëllimet tona më të thella për familjarët dhe miqtë e të vdekurve dhe të plagosurve”, ka shkruar mes tjerash ai.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin korean.

“Franca është me ju”, ka shkruar ai në Twitter.

XS
SM
MD
LG