Ndërlidhjet

Haradinaj: SHBA na kërkon pezullimin e taksës, por ajo do të mbetet


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Shtetet e Bashkuara sugjerojnë në vazhdimësi që të pezullohet taksa dhe t’i hapet rrugë dialogut.

“Është përsëritur edhe sot (në takimin me ambasadorin Philip Kosnett) edhe në çdo takim”, tha Haradinaj në konferencën e rregullt për media pas mbledhjes së Qeverisë.

“Kemi biseduar edhe për tema të tjera bilaterale që i ka Kosova me Amerikën, në temat tjera kemi biseduar edhe rreth vizitës së disa senatorëve e kongresistëve që pritet të vijnë në Kosovë”, theksoi Haradinaj.

Por, edhe këtë herë, Haradinaj tha se mbetet i vendosur që të mos kushtëzohet vazhdimi i dialogut me pezullimin apo heqjen e taksës ndaj Serbisë.

“Qëndrimi ynë është i qartë, edhe unë dua ta heq taksën komplet, jo vetëm ta suspendoj taksën, por është e lidhur me njohjen nga Serbia dhe po ashtu sugjerimi im është që të mos ndërlidhen temat. Dialogu ka filluar para taksës, asnjëherë nuk është kushtëzuar e të mos kushtëzohet as tash”, tha Haradinaj.

VOX: A duhet pezulluar taksën pas kërkesës së SHBA-së?

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Haradinaj, nënkupton zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura, me njohje reciproke dhe sigurimin e ulëses për Kosovën në Kombet e Bashkuara.

Haradinaj tha se dialogu mund të vazhdojë njëkohësisht me taksën në fuqi.

“Sikurse presidenti Trump apo ndonjë autoritet i lartë i thërret dy delegacionet e vendeve për një marrëveshje, ne nuk e pengojmë. I lusim që të punojmë për marrëveshje, mos ta humbin kohën. Por, nuk hiqet taksa pa marrëveshje. Është gabim të jepen premtime të gabuara nga kushdo qoftë, Serbisë apo kujtdo”, tha Haradinaj.

“Përkundër faktit që të gjithë dëshirojmë që jo veç ta shprehim dashurinë dhe respektin ndaj SHBA-së, dua t'jua them se kjo nuk ka të bëjë me përvojën time me Amerikën, ka të bëjë me përvojën 20 vjeçare me Serbinë, jemi lodhë dhe kjo i ka kushtuar Kosovës”, theksoi ai.

“Taksa mund të jetë pakufi, përjetësisht, derisa të arrihet një marrëveshje me Serbinë. Nuk ka asnjë sanksion që na detyron ta heqim taksën. Nuk duhet palët tjera të llogarisin që po e devijojmë Kosovën, e të na detyrojnë të pranojmë ndonjë ndërrim të kufijve apo territor, veç pse e kemi një Gjykatë Speciale apo çka do tjetër, apo pse i rrezikohet ulësja ndonjërit prej nesh apo ku ta di unë”, tha Haradinaj, në lidhje me thirrjet jo vetëm nga SHBA-ja e BE-ja, por edhe një pjesë e lidershipit në Kosovë që taksa të pezullohet.

Në vazhdim, Haradinaj ka shprehur pakënaqësi edhe me deklaratat e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama në lidhje me anulimin e vizitës së gjeneralit amerikan Tymothy Orr në Kosovë, që erdhi pas vendimit të qeverisë amerikane si reagim ndaj taksës doganore.

“Gjeneralin Rama, unë e respektoj. Ai është komandant i Ushtrisë. Sa më pak që bëhet subjekt i mediave, është më mirë. Nëse ai mendon që është vështirë me mbajt postin..., mund të ketë ndonjë djalë apo vajzë të re eprore që mendon se nuk është aq zor me udhëheq ushtrinë, kështu që nuk ka arsye komandanti të dalë shpesh në media”, tha Haradinaj.

“Ndodhë të anulohen vizita, të shpeshtohen vizita, por e kuptoj logjikën pse po bëhen kaq të zhurmshme, e kuptoj pse mendojnë që ruhet miqësia. Janë duke e dëmtuar miqësinë në këtë mënyrë, sepse ne jemi të njëjtit që e kemi formuar edhe Gjykatën Speciale kur Shtetet e Bashkuara kanë qenë kundër”, vazhdoi ai.

Ndërkaq në lidhje me deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sipas të cilit, FSK-ja nuk mund të operojë në veri të Kosovës, Haradinaj tha se “Kosova i ka ofruar NATO-s një protokoll të ri të operimit për gjithë vendin pa dallim, nuk ka veri dhe jug”.

Ai tha se Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mandatin Ushtrisë në gjithë vendin, pa dallim.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG