Ndërlidhjet

Haxhi Shala dërgohet në Hagë


Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, është dërguar të martën në Hagë, ku gjendet selia e Gjykatës Speciale të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.

“E konfirmojmë që sot në mëngjes [Haxhi Shala] është dërguar [në Hagë]", tha Smakiqi.

Në një njoftim të martën pasdite, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se e ka arrestuar dhe e ka dërguar Shalën në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku ai do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës "pa vonesa të panevojshme".

Shala akuzohet për pengim të drejtësisë, sipas ZPS-së.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, tha pas arrestimit të Shalës se mbrojtja e dëshmitarëve mbetet një prioritet për ZPS-në.

“Është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre, jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha West.

Ajo shtoi se prokuroria do të vazhdojë “të bëjë çdo gjë brenda fuqive të saj për të mbrojtur viktimat e dëshmitarët dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që shkelin ligjet e Kosovës për interesat e tyre private”.

Shala u intervistua të hënën në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim to Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë, sipas avokatit të tij.

Të njëjtën ditë janë zhvilluar bastisjes në shtëpinë e tij në fshatin Banjë të Malishevës.

Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales “akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer disa herë bastisje në Kosovë.

Pa dhënë shumë detaje, prokuroria në Hagë kishte bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Rastet tjera në këtë gjykatë

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Gucati është liruar ndërkohë, nën disa kushte.

XS
SM
MD
LG