Shefi i Pentagonit përballet me përpjekjen për shkarkim, për shkak të luftës në Iran

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mund të përballet këtë javë me një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e tij, pasi një kongresist republikan e akuzoi për shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe abuzim me pushtetin, përfshirë zhvillimin e luftës kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.

Kongresisti republikan, Thomas Massie, nga Kentaki, paraqiti të hënën, më 9 nëntor, një rezolutë me tetë akuza kundër Hegsethit, duke nisur një afat dyditor për shqyrtimin e saj në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Duke u përfshirë në luftime në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Massie.

Nisma vjen pas zgjedhjeve të mesmandatit të javës së kaluar, në të cilat demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Megjithatë, republikanët do ta ruajnë shumicën deri në janar, kur ligjvënësit e rinj të marrin detyrën.

Massie, i cili humbi garën për rizgjedhje dhe do të largohet nga Kongresi në janar, tha se synimi i tij është ta nxisë presidentin Donald Trump ta zëvendësojë Hegsethin përpara se demokratët të marrin kontrollin.

“Përpjekja ime për shkarkimin e sekretarit Hegseth është një version shumë më i butë i asaj që do të vijë kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, vitin e ardhshëm”, tha Massie.

Sipas tij, demokratët do të zhvillojnë seanca dëgjimore dhe procese për shkarkim, ndërsa Trump ka ende mundësi të emërojë një pasardhës, i cili mund të konfirmohet nga Senati aktual.

Massie paralajmëroi se udhëheqja republikane mund të përpiqet ta shmangë votimin e drejtpërdrejtë për akuzat, përmes procedurave parlamentare.

“Duhet të kemi një votim dhe një debat të mirëfilltë për këto tetë akuza”, tha ai.

Trump i del në mbrojtje Hegsethit

Presidenti amerikan e kundërshtoi fuqishëm nismën, duke vlerësuar udhëheqjen e Hegsethit gjatë operacioneve ushtarake në Iran dhe Venezuelë.

“Ai fitoi dy luftëra. Nuk e di se si mund ta shkarkosh”, tha Trump në një intervistë për agjencinë Reuters të hënën.

Më vonë, gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, presidenti konfirmoi se do ta mbështeste Hegsethin edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte për ngritjen e akuzave ndaj tij.

Trump përmendi operacionin amerikan të janarit në Venezuelë, gjatë të cilit forcat amerikane kapën presidentin Nicolas Maduro, si dhe veprimet ushtarake në Iran.

“E kemi bërë botën një vend shumë më të sigurt”, deklaroi ai, duke pyetur përse nuk janë kërkuar përgjegjësi të ngjashme nga zyrtarët që kanë udhëhequr luftërat e mëparshme amerikane.

Edhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e kundërshtoi nismën, duke thënë se një proces i tillë, në kohën kur SHBA-ja është e përfshirë në luftime jashtë vendit, do të dërgonte një mesazh të dëmshëm tek aleatët dhe kundërshtarët e saj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi përpjekjen si të padrejtë, duke thënë se Hegseth ka bërë punë të mirë.

Vetë Hegseth i hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se nuk shqetësohet nga mundësia e shkarkimit.

“Ata më sulmojnë mua. Na sulmojnë sepse jemi efektivë. Nuk do t’ia dalin. Ne nuk do të tërhiqemi”, tha ai në një videomesazh të publikuar javën e kaluar.

Ai e krahasoi situatën e tij me atë të Trumpit, i cili ishte përballur dy herë me procedura shkarkimi gjatë mandatit të parë presidencial, por ishte liruar nga akuzat në Senat.

Për çfarë akuzohet Hegseth?

Në qendër të rezolutës së Massiet është lufta kundër Iranit, e nisur gati nëntë muaj më parë.

Tri nga tetë akuzat lidhen me pretendimet se Hegseth ka shkelur rezolutën amerikane të vitit 1973 për kompetencat e luftës, duke vazhduar operacionet ushtarake pa autorizimin e Kongresit dhe duke shpërfillur kërkesat e ligjvënësve për përfundimin e luftimeve.

Akuzat e tjera përfshijnë pretendime për shkelje të ligjeve që mbrojnë civilët gjatë konflikteve të armatosura, operacionet ushtarake amerikane në Venezuelë dhe Jemen, si dhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësorin lindor.

Një tjetër akuzë lidhet me senatorin demokrat, Mark Kelly, ndaj të cilit Hegseth kishte kërkuar masa pasi ai, së bashku me pesë ligjvënës të tjerë demokratë me përvojë në ushtri dhe inteligjencë, u kishin bërë thirrje ushtarëve amerikanë të refuzonin urdhrat e paligjshëm.

Hegseth i kishte akuzuar ata për nxitje të rebelimit.

Demokratët kanë paralajmëruar gjithashtu hetime për shkarkimin e kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë.

Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, shprehu mbështetje të plotë për shkarkimin e Hegsethit.

Senatori demokrat, Chuck Schumer, i cili pritet të bëhet udhëheqës i shumicës në Senat, kërkoi që sekretari i Mbrojtjes të përballet me gjykim në këtë institucion.

“Hegseth e zhvilloi këtë luftë në mënyrë të paligjshme, duke sfiduar hapur Kushtetutën dhe rezolutat e shumta të Kongresit për t’u dhënë fund luftimeve”, deklaroi Schumer.

A ka vota të mjaftueshme për shkarkim?

Për miratimin e akuzave në Dhomën e Përfaqësuesve kërkohet shumicë e thjeshtë, ndërsa për largimin përfundimtar nga detyra nevojiten dy të tretat e votave të senatorëve të pranishëm.

Aktualisht, republikanët kanë 218 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, kundrejt 214 demokratëve.

Kjo do të thotë se mbështetja e disa republikanëve, ose mungesat gjatë votimit, mund të ndikojnë në rezultatin e nismës.

Megjithatë, dënimi në Senat mbetet pengesa kryesore.

Republikanët kontrollojnë aktualisht 53 nga 100 vendet, ndërsa edhe pas marrjes së shumicës nga demokratët në janar, largimi i Hegsethit do të kërkonte mbështetje të konsiderueshme ndërpartiake.

Përplasjet rreth Hegsethit mund të ndikojnë edhe në planet e administratës Trump për një paketë shpenzimesh të mbrojtjes prej 1.5 trilion dollarësh.

Disa republikanë kanë shprehur shqetësimin se marrëdhëniet e tensionuara të sekretarit me Kongresin mund ta vështirësojnë miratimin e saj.

Një procedurë e rrallë në historinë amerikane

Vetëm dy anëtarë të kabinetit amerikan janë përballur deri më tani me miratimin e akuzave për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve.

I pari ishte sekretari i Luftës, William Belknap, në vitin 1876, i akuzuar për korrupsion. Ai dha dorëheqje përpara votimit, por Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi akuzat edhe pas largimit të tij. Senati më pas e liroi nga akuzat.

Rasti i dytë ishte ai i sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, në vitin 2024, kur Dhoma e Përfaqësuesve miratoi akuzat kundër tij, por Senati i hodhi poshtë pa zhvilluar gjykim.

Hegseth, i cili ka përdorur edhe vetë titullin “sekretar i luftës”, e ka bërë të qartë se nuk synon të japë dorëheqje.

Burimet: Reuters, BBC dhe CBS News.
​
XS
SM
MD
LG