Të paktën 70.000 persona kanë ikur nga shtëpitë e tyre në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, brenda një jave, ka thënë administrata e instaluar nga Moska në këtë rajon.
“Jam i sigurt që më shumë se 70.000 persona kanë ikur brenda një jave, prej kur janë organizuar largimet”, ka thënë Vladimir Saldo, për një kanal televiziv rajonal, duke iu referuar përpjekjeve të autoriteteve pro-Kremlinit, për të larguar banorët nga zonat afër Lumit Dnjepër.
Ai ka shtuar se numri mund të jetë edhe më i madh, sepse njerëzit mund të kenë përdorur anijet e tyre për të kaluar lumin.
Banorëve u është bërë thirrje që të largohen, pasi trupat ushtarake ruse janë duke u përballur me kundërofensivën e ushtrisë ukrainase në këtë rajon.
Kievi i ka konsideruar këto lëvizje të njerëzve si “dëbime”.
Saldo ka thënë të mërkurën se qasja afër lumit është ndaluar për shtatë ditë, “për shkak të situatës së tensionuar”.
Ai po ashtu ka pretenduar se ka “rrezik të vërshimeve” dhe “shkatërrimit masiv të infrastrukturës civile”, duke thënë se Kievi është duke u përgatitur që të sulmojë digën Kakhovka që kontrollohet nga forcat ruse në Lumin Dnjepër.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë se po planifikon të kryejë vetë sulme në këtë digë, për të nxitur vërshime shkatërruese.
Eksod nga Hersoni para afrimit të forcave ukrainase
Një ditë më herët, autoritetet e instaluara nga Rusia në Herson përsëritën thirrjet për largimin e civilëve nga qyteti-port në Ukrainën jugore, duke apeluar te banorët për “kujdes për sigurinë e familjes dhe miqve”.
Hersoni ka rëndësi vitale strategjike dhe simbolike për luftën e Rusisë dhe Kremlini duket të jetë duke përgatitur qytetin për një betejë të madhe tokësore, teksa trupat ukrainase po afrohen gjithnjë e më shumë.
Analistët thonë se një arsye për thirrjet “zyrtare” për largimin e banorëve nga qyteti gjatë ditëve të fundit është frika se banorët pro-Ukrainës mund t’iu ndihmojnë forcave ukrainase nëse ato hyjnë në qytet.
Qyteti jugor u bë simbol i kundërshtimit në fillim të pushtimit, teksa banorët rrezikuan jetën e tyre për të protestuar kundër okupimit rus.
Rreth 25.000 njerëz janë larguar nga rajoni që nga 18 tetori, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax.
Pamjet që tregojnë se lufta e Rusisë po ngec janë pothuajse të pamundura për t’u gjetur në mediat e kontrolluara nga shteti në Rusi, por agjencia ruse e lajmeve TASS ka publikuar dhjetëra fotografi nga evakuimet në Herson.
Kyrylo Budanov, zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase, thotë se ka mundësi që evakuimi shumë publik i banorëve nga Hersoni mund të jetë mënyrë për ta tërhequr Ukrainën në një betejë të kushtueshme urbane.
Budanov thotë se forcat ruse “po krijojnë iluzionin se gjithçka është e humbur. Dhe, në të njëjtën kohë, ato po sjellin njësite të reja ushtarake dhe po i përgatisin rrugët e Hersonit për mbrojtje”.
Ukraina raportohet se është duke avancuar në rajonin e Hersonit, por përparimet e tyre po përballen me rezistencë të fuqishme përreth qytetit të Hersonit. Zyrtarët ukrainas pohojnë se deri në 45 grupe batalionesh taktike ruse tani mund të jenë duke pritur një avancim ukrainas përreth Hersonit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.