Ndërlidhjet

Hill: Sado i vështirë, dialogu është zgjidhja e vetme mes Kosovës dhe Serbisë


Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill,(djathtas), gjatë konferencës “Sfidat rajonale të sigurisë”, të organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill,(djathtas), gjatë konferencës “Sfidat rajonale të sigurisë”, të organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Ndonëse procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tejet i vështirë, e vetmja zgjidhje mbetet që të dy palët t’i vazhdojnë bisedimet. Kështu deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, gjatë konferencës “Sfidat rajonale të sigurisë”, e cila është organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të Qendrës për Arsimim Politik.

Duke përshëndetur përpjekjen e ndërmjetësuesve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Hill theksoi se tensionimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në dëm të të gjithë rajonit.

“Mendoj se tensionet dhe konflikti kanë ndikim në të gjitha vendet e rajonit dhe ajo që do të doja të shihja është një lloj përmirësimi ose të paktën ulje të tensioneve”, theksoi ai.

Ndërkaq, në pyetjet e të rinjve rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ambasadori Hill tha se për këtë duhet investuar në ngritjen e besueshmërisë mes dy komuniteteve.

“Dy çështje janë me rëndësi kruciale: besimi te komuniteti ndërkombëtar dhe qartësia ndaj qytetarëve për sa i përket asaj se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen”, u shpreh Hill.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në konferencën "Sfidat rajonale të sigurisë dhe zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor", Shkup, 3 maj 2023.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në konferencën "Sfidat rajonale të sigurisë dhe zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor", Shkup, 3 maj 2023.

“Një vend që ka probleme me korrupsionin, ka institucione të këqija”

Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Hill tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbeten të fokusuara në luftën kundër korrupsionit, pasi kjo dukuri i bën të paqëndrueshme institucionet e këtyre vendeve.

“Nuk ka gjë më të keqe se korrupsioni. Një vend që ka probleme me korrupsionin në fakt ka institucione të këqija. Mundohuni të bëni diçka për këtë, por punoni në institucionet që lehtësojnë [luftimin] e korrupsionit. Zgjidhni njerëz të mirë mbi ata të këqij. Kështu do të keni institucione më të mira që do të përballen me luftën kundër korrupsionit”, tha Hill.

Ambasadori i SHBA-së para të rinjve u fokusua dhe në rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, si në aspektin e zhvillimit ekonomik ashtu dhe në atë të sigurisë.

Ai nënvizoi se asnjë shtet nuk mund t’i zgjedhë fqinjët, por e gjithë mençuria qëndron në faktin që udhëheqësit politikë të gjejnë mënyra për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet, dhe i gjithë fokusi të vendoset në interesat e përbashkëta, duke potencuar në këtë rast nismën Ballkani i Hapur.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut t’u bëjë ballë sulmeve kibernetike.

Duke iu referua rritjes së ndikimit rus në Ballkan, ambasadori Hill shprehu bindjen se udhëheqja aktuale ruse e ka çuar, siç tha ai, "civilizimin në pyll" .

Lexoni edhe këto:

Spasovski: Kërcënimet me bomba vijnë nga Irani dhe Rusia

Saraçini: Dezinformatat ruse kërcënim për sigurinë, duhen masa konkrete

Kërcënimet ruse dhe iraniane "mund të jenë dërguar nga shtete tjera"

XS
SM
MD
LG