Ndërlidhjet

Haradinaj: Nëse udhëzimi për homologim shkel ligjin, anulohet menjëherë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse Udhëzimi Administrativ që rregullon fushën e homologimit të automjeteve, i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës, është në kundërshtim me ligjin, ai do të anulohet.

Këtë qëndrim, shefi i ekzekutivit e ka dhënë në një konferencë për media, një ditë pas kërkesës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, për shfuqizim të këtij Udhëzimi Administrativ, i cili i mundëson vazhdimin e monopolit në homologimin e automjeteve.

I pyetur për shqetësimet e Apostolovës, kryeministri Haradinaj ka thënë se, fillimisht, kjo çështje duhet të analizohet mirë, e nëse del se ka shkelje ligjore, atëherë udhëzimi administrativ “anulohet menjëherë”.

“Nëse ka dikush problem me një vendim të marrë, bën të atakoj atë vendim pa marrë parasysh kush është në pyetje. Mund ta atakosh në bazë të shkeljes së procedurave, nëse ato janë shkelur, në bazë të shkeljes së ligjit, ose mund të kërkosh formulë të re për shkak të motiveve. Për shembull, mund t’i thuash Qeverisë, nuk e ke shkelur asnjë ligj, por pse nuk e bën kështu, sepse është më mirë, liberalizohet tregu. Pra, duhet të sqarohet për çka bëhet fjalë, nëse është shkelje ligjore, anulohet menjëherë”.

“Pra, ne kemi shumë raste, vijnë propozime në kabinetin qeveritar për tema të caktuara, asnjëherë nuk i paragjykojmë në nisje, i japim mundësinë e zbërthimit të temës, mirëpo kemi plot etapa ku mund të ndërhyjmë. Pra, nëse e verifikojmë që një proces i caktuar nuk po del në përputhje me interesin e publikut, kemi mundësi të ndërhyjmë”, tha kryeministri i Kosovës.

Në një diskutim me deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, të mërkurën, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, u ka kërkuar atyre të bëjnë presion ndaj Qeverisë, për të ndalur monopolin për homologimin e automjeteve.

Duke kërkuar shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që rregullon fushën e homologimit të automjeteve, i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, vitin e kaluar, Apostolova theksoi se është momenti që të ngrihet zëri kundër monopolit, për konkurrencë të lirë.

“Nuk jam këtu për të nxitur opozitën. Momenti ka ardhur, korrik 2019, kur falë Zotit ky udhëzim administrativ do të skadojë. Kam biseduar me kryeministrin, ministrin e Infrastrukturës dhe të gjitha autoritetet e përfshira në këtë çështje, por deri sot nuk kam parë asnjë reagim. Erdha këtu të bisedoj me ju, sepse ju keni fuqi, ju e përfaqësoni popullin e Kosovës dhe mbikëqyrni punën e Qeverisë. Ngrijeni zërin, bëhuni bashkë me ne, ne duam të na ndihmoni, tani është momenti, nëse e humbni korrikun 2019, do të keni gjënë e njëjtë edhe dhjetë vjet të tjera, dhe populli i Kosovës nuk e meriton këtë”, tha Apostolova.

Ajo theksoi se monopoli është kundër rregullave tregtare të Bashkimit Evropian dhe frymës së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ndërsa, shtoi se ka sjellë edhe raportin me rekomandime të ekspertëve ndërkombëtar, të cilin ia kishte kërkuar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, lidhur me këtë çështje.

“Ne jemi të shqetësuar që ka një udhëzim administrativ, nga shkurti 2018, i cili çon në zgjatjen e monopolit aktual, pasi siç na ka treguar ministri i Infrastrukturës, kontrata aktuale skadon së shpejti, në korrik 2019. Ne frikësohemi se nëse ajo vazhdohet automatikisht, struktura e tanishme do të kufizojë konkurrencën në fushën e homologimit, përmes kësaj zgjatjeje automatike të kontratës për operatorin ekonomik aktual, i cili është ‘EuroLab’ dhe që ka marrëveshje ekskluzive nga viti 2008”.

“Konkurrenca në fushën e homologimit do të zvogëlojë çmimin dhe ofrojë shërbime më të mira. Aktualisht, qytetarët e Kosovës paguajnë çmime të larta për këtë shërbim, i cili ofrohet vetëm në kryeqytet, Prishtinë, kështu që ata duhet të udhëtojnë, shërbim që nuk është i sfiduar nga asnjë kompani tjetër, e që është çmimi më i lartë në rajon, 125 euro për një kontroll”, tha Apostolova.

Po ashtu, Apostolova u ka përcjellë deputetëve shqetësimin e Bashkimit Evropian, lidhur me homologimin e veturave të reja me origjinë nga vendet anëtare, proces të cilin e ka vlerësuar si të panevojshëm.

Edhe Instituti për Studime të Avancuara, GAP, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që të ndërpresin monopolin për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë.

Në një qëndrim të përbashkët të tyre, thuhet se monopoli është i kundërligjshëm dhe dëmton interesin financiar të qytetarëve.

“Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria e Kosovës që të ndërpresin monopolin në homologimin e veturave, sepse është i kundërligjshëm dhe po e dëmton interesin financiar të qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, ky monopol është pengesë për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe po mbahet në fuqi në kundërshtim me rekomandimet e zyrës së Bashkimit Evropian".

"Ripërsërisim qëndrimet që homologimi i veturave në Kosovë mbetet monopol i paarsyeshëm, kundër rregullave të konkurrencës së lirë, kurse çmimet arbitrare për shërbimet në fjalë mbeten barrë e rëndë për qytetarët e Kosovës”, shkruan në komunikatë.

Këto dy organizata të shoqërisë civile, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të shfuqizojë Udhëzimin Administrativ 02/2018 dhe të nxjerrë një udhëzim të ri mbi bazën e interesit qytetarë, i cili garanton konkurrencë të lirë.

Udhëzimi Administrativ aktual për homologimin e automjeteve, sipas tyre, shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkeljet ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojëdhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.

Në vitin 2008, atëkohë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë si të vetmen për këtë veprimtari, për periudhën 2009-2019.

Homologimi është një procedurë, me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Përmes homologimit të automjeteve, testohen pajisjet që kanë rëndësi për funksionimin e sigurt dhe ekologjik të automjetit.

XS
SM
MD
LG