Ndërlidhjet

Humbje e dyfishtë për Malin e Zi


Tifozët e Malit të Zi
Tifozët e Malit të Zi

Pesë golat e kthimit të Anglisë i dhanë një goditje të madhe kombëtares së Malit të Zi në futboll, në kualifikimet për turneun Euro 2020. Por, tifozët malazezë e goditën edhe veten me thirrjet - që u përshkruan si raciste - për lojtarët dhe trajnerët anglezë.

Menaxheri i Anglisë, Gareth Southgate, dhe disa lojtarë thanë se kanë dëgjuar qartazi thirrje raciste kundër pjesëtarëve me ngjyrë të ekipit, gjatë ndeshjes që u zhvillua të hënën në Podgoricë dhe që përfundoi me rezutat 5:1, në favor të Anglisë.

Trajneri malazez, Lubisha Tumbakoviq, dhe zyrtarë të tjerë të ekipit thanë pas ndeshjes se nuk janë në dijeni për brohoritjet, por Federata e Futbollit e Malit të Zi tha të martën se UEFA - Federata Evropiane e Futbollit - ka nisur procedurat disiplinore.

“Gjatë procedurave disiplinore, UEFA do të hetojë detajet që lidhen me sjelljen e dyshuar raciste të një pjese të vogël të ekipit kombëtar të Malit të Zi, për të cilën u bë e ditur nga përfaqësuesit e Federaës së Futbollit të Anglisë”, thuhet në deklaratë.

E njëjta shton se Federata malazeze nuk do të komentojë mbi pretendimet derisa të përfundojnë hetimet.

Lojtarët anglezë thanë se thirrjet e dyshuara raciste filluan herët në lojë, kurdo që lojtarët me ngjyrë preknin topin.

Thirrjet, që përfshinin zhurma majmunësh, u bënë edhe më të zëshme kur Raheem Sterling shënoi gol në minutën e 81-të lojës.

Pasi goli i tij e epërsoi Anglinë me rezultat 5:1, ai i mbylli veshët me duar dhe festoi. Më vonë, në një postim në Twitter, ai tha: “Mënyra më e mirë për të heshtur armiqtë (dhe po, mendoj racistët)”.

Derisa Tumbakoviq mohoi se ka dëgjuar diçka, Southgate tha se është i bindur se ka dëgjuar fyerje të lojtarëve të tij.

"Nuk ka dyshim se ka pasur të tilla", tha ai kur u pyet për incidentet në një konferencë shtypi.

Gazetarët në lojë thanë se i dëgjuan po ashtu.

Sjelljet raciste dhe nacionaliste në ngjarjet sportive kanë marrë vëmendje të shtuar nga organizatat udhëheqëse, që janë të etura për t’i frenuar ato në Ballkan dhe gjetkë.

FIFA - Federata Botërore e Futbollit - i ka gjobitur federatat e futbollit të Kosovës dhe Kroacisë në nëntor të vitit 2016, pasi tifozët e tyre kanë bërë thirrje raciste kundër serbëve gjatë një ndeshjeje për kualifikim në Kampionatin Botëror, që është zhvilluar në Shqipëri.

James Slack, zëdhënës i kryeministres britanike, Theresa May, tha se UEFA duhet të ndërmarrë “veprim të fortë dhe të shpejtë”, pas incidentit në Mal të Zi.

Mali i Zi përballet me gjoba të mundshme për incidentin dhe mund të dënohet me mbyllje të pjesshme ose të plotë të stadiumit për publikun, kur të luajë ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020, në qershor, kundër Kosovës.

"Racizmi, siç është shfaqur dje (të hënën) në ndeshjen e Malit të Zi kundër Anglisë, është i neveritshëm. Por, dyshoj që dënimet më të rrepta (financiare) do të zgjidhin ndonjë gjë në mënyrë domethënëse. Sanksionet nuk bëjnë punë nëse nuk i detyroni federatat të investojnë në programe të edukimit”, tha Dario Brentin, studiues i sportit dhe politikës në Ballkan, në kuadër të Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, në Universitetin e Gracit.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG