Ndërlidhjet

Hungaria paralajmëron padi ndaj KE-së për shkak të fondeve për arsim


Libraria e një universiteti në Budapest të Hungarisë. Fotografi ilustruese.
Libraria e një universiteti në Budapest të Hungarisë. Fotografi ilustruese.

Qeveria e Hungarisë do të ndërmarrë veprime ligjore kundër krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian nëse nuk mund të arrihet marrëveshje për fondet e BE-së për programet universitare për studime jashtë vendit, tha një zyrtar hungarez.

Duke folur në një konferencë për media në Budapest, Gergely Gulyas, shef i stafit të kryeministrit, tha se vendimet e fundit të Komisionit Evropian për të ndërprerë fondet për programin e këmbimit të studentëve, Erasmus, në shumë universitete hungareze janë “të papranueshme dhe të patolerueshme”.

Gulyas shtoi se Qeveria e Hungarisë do të ofrojë financim të programit nëse fondet e BE-së nuk arrijnë, por do ta dërgojë këtë rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, nëse Budapesti dhe Brukseli nuk arrijnë një kompromis për këtë çështje.

Ndërprerja e financimit, që do të prekte studentët hungarezë që studiojnë jashtë përmes programit të BE-së, Erasmus, por edhe financimin për hulumtime në shumicën e universiteteve hungareze, është pjesë e një serie të dënimeve që blloku ka vendosur ndaj Qeverisë hungareze, nga e cila po kërkon që të respektojë standardet për sundim të ligjit dhe demokraci.

BE-ja ka lënë të kuptohet se sistemi i arsimit të lartë të Hungarisë – që në vitin 2019 iu nënshtrua ndryshimeve, të cilat bënë që kontrolli i universiteteve publike të kalonte në fondacionet, shpesh të udhëhequra nga politikanët – nuk mbron si duhet lirinë akademike nga ndikimi politik.

Gulyas insistoi se Hungaria ka bërë gjithçka që i është kërkuar nga Komisioni për të parandaluar konfliktin e interesit në udhëheqjen e institucioneve të arsimit të lartë.

Megjithatë, ai tha se nëse Komisioni do të kërkojë që politikanët e lartë hungarezë të mos lejohen të jenë në bordet e universitete, Hungaria është e gatshme të modifikojë më tej rregullat e saj.

BE-ja ka ngrirë më shumë se 12 miliardë euro fonde për Hungarinë, pas shqetësimeve se kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka përdorur fondet e bllokut evropian për të shkatërruar institucionet demokratike dhe për të pasuruar aleatët e tij.

Hungaria ka afat deri në mars që të zbatojë dhjetëra reforma në linjë me standardet e BE-së, në mënyrë që këto fonde të zhbllokohen.

XS
SM
MD
LG