Ndërlidhjet

Hungaria kërkon të heqë 9 persona të afërt me Putinin nga lista e sanksioneve të BE-së


Viktor Rashnikov, Pyotr Aven, Alisher Usmanov
Viktor Rashnikov, Pyotr Aven, Alisher Usmanov

Hungaria po tenton edhe një herë të dobësojë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke kërkuar heqjen e nëntë individëve nga lista e personave të sanksionuar, që u vendosën ndaj mbi 1,300 individëve dhe 170 subjekteve në përgjigje të agresionit ndaj Ukrainës nga Moska.

Sipas disa burimeve diplomatike, Hungaria po kërkon në mënyrë specifike heqjen e Alisher Usmanov, Pyotr Aven dhe Viktor Rashnikov nga lista e ndalimit të vizave dhe ngrirjes së aseteve.

Gazeta zyrtare e BE-së e quan Usmanov një "oligark pro-Kremlinit me lidhje veçanërisht të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin". Ai është përmendur si një nga "oligarkët e preferuar të Putinit".

BE thotë se Aven "është një nga 50 biznesmenët e pasur rusë që takohen rregullisht me Vladimir Putin në Kremlin" dhe se ai "nuk vepron në mënyrë të pavarur nga kërkesat e presidentit".

Rashnikov, ndërkohë, iu shtua listës në mars, me Brukselin që e përshkruan atë si “një nga oligarkët kryesorë rusë”.

Kjo nuk është hera e parë që Hungaria tenton t'i heqë këta individë nga kjo listë.

Vendi u përpoq ta bëjë këtë edhe gjatë rinovimit të fundit të sanksioneve në muajin shtator, por u tërhoq shpejt për shkak të presionit politik.

Lista e sanksioneve duhet të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së që ajo të rinovohet, dhe afati i ardhshëm për këtë përditësim është data 15 mars.

Hungaria gjithashtu po përpiqet t’i heqë nga lista e sanksioneve motrën e Usmanovit, Gulbahor Ismailova; partnerin e biznesit të Avenit, Mikhail Fridman; oligarkun bjellorus Dmitry Mazepin; birin e tij Nikita Mazepin; dhe oligarkët rusë Grygory Berezkin dhe Viatcheslav Moshe Kantor.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka qenë kritik ndaj qëndrimit të BE-së ndaj Moskës, duke argumentuar se sanksionet e kanë dëmtuar BE-në pa dobësuar Rusinë apo ndihmuar Ukrainën.

XS
SM
MD
LG