Ndërlidhjet

Rebelët Huthi sulmojnë një anije me kontejnerë në Oqeanin Indian


Një paradë ushtarake e mbajtur nga rebelët Huthi për të shënuar përvjetorin e marrjes së kontrollit në Sana, Jemen, 21 shtator 2023.
Një paradë ushtarake e mbajtur nga rebelët Huthi për të shënuar përvjetorin e marrjes së kontrollit në Sana, Jemen, 21 shtator 2023.

Rebelët Huthi të Jemenit thanë se sulmuan me një dron anijen transportuese MSC Orion në Oqeanin Indian, si pjesë e fushatës së tyre kundër anijeve ndërkombëtare, në mbështetje të palestinezëve dhe kundër veprimeve ushtarake izraelite në Gazë.

Anija me flamur portugez po lundronte midis porteve të Sines, Portugali dhe Salalah, Oman. Pronari i regjistruar është Zodiac Maritime, sipas të dhënave të Grupit të Bursës së Londrës (LSEG).

Zodiac është pjesërisht në pronësi të biznesmenit izraelit Eyal Ofer. Kompania nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Rebelët Huthi - të lidhur me Iranin - kanë nisur që nga nëntori një seri sulmesh me dronë dhe raketa në Detin e Kuq, ngushticën Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit, duke i detyruar transportuesit të devijojnë ngarkesat në udhëtime më të gjata dhe më të shtrenjta rreth Afrikës Jugore dhe duke rritur frikën se lufta midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - mund të përhapet dhe të destabilizojë Lindjen e Mesme.

Grupi i lidhur me Iranin sulmoi gjithashtu anijen tregtare Cyclades si dhe dy shkatërrues amerikanë në Detin e Kuq, tha zëdhënësi i tij në një fjalim televiziv të martën herët.

Kompania britanike e sigurisë detare, Ambrey raportoi më parë se një anije konteinerësh me flamur maltez ishte sulmuar nga tre raketa të hënën derisa po udhëtonte nga Xhibuti për në qytetin saudit të Jeddah.

Rebelët Huthi thanë se Cylades ishte në atë rrugë kur anija me kontejnerë u sulmua.

Kompania Ambrey tha se anija ishte në shënjestër për shkak të tregtisë së operatorit të saj me Izraelin.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kryen sulme ndaj objektivave të rebelëve Huthi në shenjë hakmarrjeje për sulmet e tyre ndaj anijeve, shkruan Reuters.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG