Ndërlidhjet

I dërguari i SHBA-së në Haiti jep dorëheqje pas dëbimit të migrantëve


Pamje të migrantëve nga Haiti nën urën Del Rio në Teksas. Shtator 2021.
Pamje të migrantëve nga Haiti nën urën Del Rio në Teksas. Shtator 2021.

Daniel Foote, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara në Haiti, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, si shenjë proteste ndaj dëbimeve të mijëra migrantëve në kombin e Karaibeve, pasi ata kanë kaluar kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës në ditët e fundit, shumica prej tyre duke kërkuar azil.

Foote, diplomat karriere, e ka përshkruar Haitin si “shtet të dështuar” që nuk është në gjendje të përkrahë migrantët e kthyer.

“Unë nuk do të përfshihem në vendimin johuman dhe joproduktiv të Shteteve të Bashkuara për të dëbuar mijëra refugjatë të Haitit dhe imigrantë ilegalë”, ka thënë Foote, në një letër dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka hedhur poshtë kritikat e Foote, duke thënë se i dërguari nuk i ka përshkruar mirë rrethanat e dorëheqjes.

“Ai nuk ka arritur të përfitojë nga mundësia e mjaftueshme për të ngritur shqetësime rreth migrimit gjatë qëndrimit të tij dhe ka zgjedhur të japë dorëheqjen", ka thënë Price.

Haiti, vendi më i varfër në hemisferën perëndimore, është goditur nga vrasja e presidentit në korrik, dhe një tërmet i fuqishëm muajin e kaluar.

Më shumë se 15,000 persona kanë kaluar kufirin dhe kanë krijuar një kamp nën urën Del Rio në Teksas. Kriza është përshkallëzuar pasi fotografitë janë shpërndarë nëpër rrjetet sociale të agjentëve të sigurisë duke përdorur taktika agresive ndaj migrantëve.

Shtetet e Bashkuara kanë kthyer më shumë se 1,400 migrantë dhe kanë larguar më shumë se 3,200 nga kampi, kanë thënë zyrtarë të Departamentit për Siguri Kombëtare.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkura ka shprehur shqetësim të thellë për dëbimet masive dhe ka thënë se dëbimet pa shqyrtimin e nevojave të mbrojtjes "janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare" dhe mund të jenë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG