Ndërlidhjet

A mund t’i shmangin pilulat për abort ndalesat në SHBA?


Një grua shtatzënë duke shikuar incizimin e foshnjës së saj. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një grua shtatzënë duke shikuar incizimin e foshnjës së saj. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Reuters

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, më 24 qershor, për eliminim të së drejtës për abort në Shtetet e Bashkuara, tani pritet të rritet kërkesa për pilula të abortit, të cilat mund të përshkruhen nga mjeku edhe përmes konsultimeve përmes platformave të komunikimit.

E drejta për abort, e njohur si Roe v. Wade, është zbatuar në SHBA për gati 50 vjet.

Megjithatë, aborti përmes ilaçeve nuk do të mund të jetë mundësi për secilën grua që t’iu shmanget ndalesave që kanë miratuar shtetet konservatore, thonë ekspertët.

Si kryhet aborti me ilaçe?

Për të kryer abort me ilaçe, pacientja merr ilaçin e quajtur mifepristone, të njohur edhe si RU-486, të përcjellë me një ilaç të dytë, misoprostol, për t’i dhënë fund shtatzënisë, dhe që t’i shmanget procedurës kirurgjikale.

Rreth gjysma e aborteve në Shtetet e Bashkuara kryhen përmes ilaçeve, sipas Institutit Guttmacher, një grup kërkimor për mbrojtjen e të drejtave të abortit.

Si i rregullon Qeveria federale abortet përmes ilaçeve?

Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA) ka miratuar ilaçin mifepristone në vitin 2000, ndonëse deri vonë, ky institucion ka obliguar pacientet që ta marrin ilaçin në zyrën e mjekut, në klinikë apo spital.

Pas heqjes së këtyre kufizimeve gjatë pandemisë së koronavirusit, agjencia ka marrë vendim për shfuqizim të plotë të vendimit, i cili parashihte që një paciente të ishte prezente për të siguruar ilaçet.

Me vendimin e ri, gratë mund të konsultohen me mjekë edhe përmes platformave elektronike, apo që t’i pranojnë ilaçet përmes postës.

Ky vendim ka rritur qasjen në abort për pacientet që jetojnë në zonat e largëta, apo të cilat nuk kanë pasur mundësi që të marrin pushim nga puna për të shkuar nëpër klinika.

Ilaçet janë të miratuara për përdorim deri në javën e 10-të të shtatzënisë.

A e ndalojnë disa shtete abortin përmes ilaçeve?

Po. Aborti përmes ilaçeve është bërë shënjestër e politikanëve dhe aktivistëve kundër abortit.

Shteti i Indianas ndalon abortin me ilaçe në javën e 10-të të shtatzënisë, ndërsa Teksasi pas javës së shtatë.

Ndalesat e shteteve tjera për këtë lloj aborti janë bllokuar nga gjykatat.

Tridhjetë e dy shtete autorizojnë vetëm mjekët, dhe jo infermierët apo punëtorët tjerë shëndetësorë, që të përshkruajnë ilaçe për abort, sipas Institutit Guttmacher.

Nëntëmbëdhjetë shtete kërkojnë që mjeku që përshkruan ilaçin të takohet fizikisht me pacienten, duke i ndaluar konsultimet elektronike.

Çfarë ndikimi ka vendimi i Gjykatës Supreme në këtë lloj aborti?

Trembëdhjetë shtete brenda SHBA-së kanë ligje që parashohin zbatim të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Supreme për abortin.

Instituti Guttmacher parasheh që të paktën 26 shtete - duke përfshirë ato që zbatojnë me automatizëm vendimin e Gjykatës Supreme - të miratojnë ligje të reja për abortin.

Ligjet e tilla deri më tani nuk kanë bërë dallime mes abortit kirurgjikal dhe abortit përmes ilaçeve, andaj pritet që shtetet të ndalojnë të gjitha llojet e abortit.

Disa shtete pritet që të ndalojnë abortin plotësisht, të tjerat ta bëjnë këtë procedurë të paligjshme mes javës së gjashtë deri në javën e 15-të.

A mund të sigurojë një paciente ilaçet e abortit nga një shtet tjetër brenda SHBA-së?

Varet.

Ekspertët ligjorë besojnë që një profesionist mjekësor shkel ligjin nëse përshkruan ilaçe përmes telefonit për një grua, e cila jeton në një shtet tjetër brenda SHBA-së ku aborti është i paligjshëm.

“Ligjet për konsultime telefonike me mjekët thonë se vendndodhja e pacienteve përcakton gjithçka”, ka thënë Amanda Allen nga Lawyering Project, organizatë që përfaqëson ofruesit e abortit.

Mjekët që përshkruajnë ilaçe për abort për pacientet në shtetet ku është e paligjshme kjo procedurë, mund të humbin licencat e punës apo edhe të përballen me padi penale, ka thënë ajo.

Një grua e cila jeton në një shtet ku aborti është i paligjshëm, mund të udhëtojë në një shtet ku kjo procedurë është e ligjshme, të kontaktojë mjekun përmes telefonit dhe të marrë ilaçet në një adresë brenda atij shteti.

“Në disa raste, kjo procedurë është më pak e lodhshme dhe më e lirë, sesa të udhëtosh për të takuar mjekun personalisht në një klinikë, duke theksuar se pacientet që udhëtojnë në klinika të shteteve tjera, janë përballur me vonesa në sigurim të terminëve, ndonjëherë edhe me javë.

A janë bërë padi që sfidojnë kufizimet shtetërore për abort përmes ilaçeve?

Po. Kompania GenBioPro, e cila shtet ilaçin mifepristone, tashmë ka sfiduar kufizimet e Misisipit për përshkrim të ilaçeve për abort përmes platformave elektronike, duke thënë se ato janë miratuar nga Administrata federale për Ushqim dhe Ilaçe, andaj çdo miratim federal tejkalon ligjet shtetërore.

Kjo padi nuk është trajtuar ende në gjykatë.

Ankesa të tilla kanë pasur sukses në të kaluarën.

E drejta për abort vs. e drejta për jetë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:16 0:00

Më 2014, një gjyqtar federal në Masaçusets ka hedhur poshtë një ligj shtetëror që synonte të ashpërsonte ligjet për përdorim të llojit të drogës, opium, më shumë sesa ligjet federale.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland, duket se përkrah sfidimin e vendimit për abort, pasi ai ka thënë se shtetet “nuk duhet të ndalojnë ilaçin mifepristone, bazuar në vlerësimin e ekspertëve të FDA-së për sigurinë dhe efikasitetin e tij”.

Misisipi ka thënë se miratimi i FDA-së nuk mund të tejkalojë vendimin e Gjykatës Supreme, që u garanton shteteve autoritet për të rregulluar çështjen e aborteve.

A mund të sigurojnë pacientet ilaçe për abort prej jashtë kufijve të SHBA-së?

Po. Gratë që jetojnë në rajonet ku ndalohet përshkrimi i ilaçeve të tilla përmes platformave elektronike, kanë nisur të porositin ilaçe online prej jashtë SHBA-së.

Ndonëse kjo praktikë nuk është ligjore, autoritetet shtetërore kanë thënë se nuk ekziston ndonjë rrugë efektive për të kontrolluar veprimtarinë e mjekëve apo farmacive të huaja.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG